Tragjike në Itali/ 15-vjeçari hidhet në liqen dhe humb jetën

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Itali, në Liqenin e Komos, ku një 15-vjeçar ka humbur jetën pas një incidenti në ujë.

Sipas informacioneve paraprake, i riu është hedhur nga një mol në zonën e Mandello del Lario dhe nuk ka dalë më në sipërfaqe. Miqtë e tij kanë njoftuar menjëherë shërbimet e emergjencës.

Në vendngjarje kanë mbërritur rojet bregdetare, zjarrfikësit dhe një helikopter, ndërsa zhytësit kanë arritur ta nxjerrin trupin e pajetë nga fundi i liqenit.

Autoritetet po hetojnë rrethanat e ngjarjes dhe ende nuk është e qartë nëse i riu ka pasur ndonjë problem shëndetësor gjatë kohës që ndodhej në ujë. Dyshohet gjithashtu se ai ka hyrë në një zonë ku ndalohet noti.

Kryebashkiaku i zonës ka bërë thirrje për kujdes më të madh dhe informim të të rinjve për rreziqet në zona të tilla, duke theksuar ndikimin që mund të kenë rrjetet sociale në sjelljet e tyre.