Tragjike! Dy elektriçistë nga Elbasani dhe Belshi humbën jetën në krye të detyrës brenda 24 orëve të fundit

Tragjedi në Belsh, humb jetën 32-vjeçari elektricist gjatë punës

Belsh – Një ngjarje e rëndë është regjistruar këtë paradite në Belsh, ku një 32-vjeçar, punonjës i OSHEE-së, ka humbur jetën gjatë kryerjes së detyrës.

Sipas informacionit paraprak të Policisë, rreth orës 09:30, në fshatin Trojas, shtetasi Klajdi Zekthi, 32 vjeç, dyshohet se ka rënë në kontakt me energjinë elektrike teksa po kryente punime për riparimin e një linje elektrike.

Si pasojë e goditjes elektrike, 32-vjeçari ka humbur jetën. Mjekët kanë tentuar ta reanimonin në vendngjarje, por nuk kanë mundur ta shpëtojnë.

Sipas dëshmive të banorëve të zonës, punonjësi kishte hipur në një shtyllë elektrike për të kryer ndërhyrjen, ndërsa në atë moment zona ishte pa energji. Banorët pretendojnë se energjia është rikthyer gjatë kohës që ai po punonte, duke sjellë kontaktin fatal me rrymën.

Këto dëshmi ngrenë pikëpyetje mbi mënyrën e menaxhimit të ndërprerjes së energjisë dhe zbatimin e procedurave të sigurisë gjatë punimeve në rrjet. Megjithatë, rrethanat e sakta të ngjarjes dhe nëse ka pasur shkelje të protokolleve të sigurisë mbeten për t’u përcaktuar nga hetimi.

Ngjarja në Belsh ndodh vetëm pak orë pas një tjetër aksidenti tragjik me pasojë vdekjen e një elektricisti në Marglliç të Patosit. 46-vjeçari Ermal Debrova, me origjinë nga Elbasani, humbi jetën teksa ishte duke punuar në një shtyllë elektrike.

Në lidhje me ngjarjen në Patos, Policia ka shoqëruar katër persona në Komisariatin e Fierit, të cilët po merren në pyetje në kuadër të hetimeve për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit.

Dy ngjarjet tragjike, të ndodhura brenda një intervali shumë të shkurtër, rikthejnë në vëmendje çështjen e sigurisë në punë për punonjësit e sektorit elektrik, si dhe rëndësinë e respektimit rigoroz të procedurave teknike dhe të sigurisë gjatë ndërhyrjeve në rrjet.