Dy të rinj nga komuna e Rahovecit, Leart Morina nga Sopniqi dhe Berhan Zeka nga Pataqani i Poshtëm, humbën jetën në një aksident trafiku në Gjermani.
Sipas mediave gjermane, aksidenti ka ndodhur në autostradën B311 në Erbach, e cila çoi te përplasja frontale mes dy veturave. Në aksident humbën jetën tre persona, raporton Swr.de. Fillimisht një 18-vjeçar dhe një 19-vjeçar, që të dy shoferë. E më pas në të dielën mbrëma si pasojë e lëndimeve vdiq edhe një 26-vjeçar. Po ashtu raportohet se një tjetër 26-vjeçare u lëndua në aksident.
Ndërkohë, pas aksidentit fatal, kryetari i komunës së Rahovecit Smajl Latifi ngushëlloi familjet Morina dhe Zeka.
“Jam thellësisht i tronditur nga lajmi për vdekjen tragjike të dy të rinjve nga komuna e Rahovecit, Leart Morinës nga Sopniqi dhe Berhan Zekës nga Pataqani i Poshtëm, në një aksident komunikacioni në Gjermani. Në emrin tim dhe të Komunës së Rahovecit, ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta dhe bashkëndjejmë me dhimbjen tuaj të madhe. Ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjeve Morina dhe Zeka, të afërmve dhe miqve të tyre për këtë humbje të rëndë. Learti dhe Berhani pushofshin në paqe!”, shkroi në Facebook, Latifi.




