Një tragjedi e rëndë ka goditur një familje me origjinë shqiptare në Jacksonville, Florida, ku tre fëmijë kanë humbur jetën si pasojë e një zjarri që përfshiu banesën e tyre në orët e para të mëngjesit të së mërkurës, 26 gusht.
Bilanci tragjik është konfirmuar nga shefi i Departamentit të Zjarrfikësve dhe Shpëtimit të Jacksonville, Percy Golden. Katër persona të tjerë, dy fëmijë dhe dy të rritur, ndodhen në gjendje kritike në spital.
Zjarri shpërtheu rreth orës 05:15 në Windergate Drive, pranë Old St. Augustine Road. Kur ekipet e emergjencës mbërritën në vendngjarje, kati i parë i banesës dykatëshe ishte përfshirë nga flakët, ndërsa kati i dytë ishte mbushur me tym të dendur.
Dy të rritur dhe dy fëmijë arritën të dilnin nga banesa. Gjatë kontrollit të ndërtesës, zjarrfikësit gjetën tre fëmijët e tjerë pa shenja jete.
Banorët u përpoqën të ndihmonin
Sipas dëshmive të mbledhura nga mediat amerikane, disa fqinjë u përfshinë në përpjekjet për të ndihmuar familjen. Një prej tyre ka treguar se banorët e zonës ndihmuan për nxjerrjen nga një dritare e katit të dytë të një foshnjeje dhe një të rrituri.
Të afërm të familjes që mbërritën në vendngjarje konfirmuan për mediat lokale se familja është me origjinë nga Shqipëria.
Në vendngjarje ndodheshin edhe gjyshërit e fëmijëve, Alia dhe Artan Sulollari. Pamjet e publikuara nga mediat amerikane tregojnë familjarët në momente të rënda dhimbjeje pranë banesës së shkatërruar nga zjarri.
Fotografitë nga vendngjarja tregojnë dëmet e mëdha të shkaktuara nga flakët. Në oborrin e banesës kanë mbetur lodra fëmijësh dhe një kosh basketbolli, ndërsa zjarri ka prekur edhe dy njësi banimi ngjitur.
Flakët u vunë nën kontroll rreth orës 05:40.
Hetimet për shkakun e zjarrit
Autoritetet kanë nisur hetimet për të përcaktuar shkakun e zjarrit, i cili deri tani mbetet i paqartë.
Ndërkohë, Kryqi i Kuq Amerikan është angazhuar për të ofruar ndihmë për familjarët që kanë mbetur pa strehë pas dëmtimit të banesës.
Departamenti i Zjarrfikësve dhe Shpëtimit të Jacksonville ka shprehur ngushëllimet për familjarët e tre fëmijëve që humbën jetën dhe solidaritetin e tij me personat e plagosur.





