TIRANË- Shqipëria feston sot 29 Nëntorin, 82-vjetorin e Çlirimit të vendit nga pushtuesit nazifashistë. Kjo ditë përkujtohet në nderim të dëshmorëve dhe atyre që luftuan për lirinë e vendit. Si çdo vit, figurat më të larta të shtetit zhvillojnë homazhe në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit, ndërsa në të gjithë vendin organizohen ceremoni përkujtimore në nderim të të rënëve.
Shqipëria u çlirua nga forcat fashiste dhe naziste në nëntor të vitit 1944, pas një periudhe pesëvjeçare pushtimi që nisi me agresionin fashist italian më 7 prill 1939. Pas kapitullimit të Italisë në vjeshtën e vitit 1943, vendi ra nën kontrollin gjerman, ndërsa lufta për çlirim kulmoi në nëntor të vitit 1944.
Tirana u çlirua më 17 nëntor, ndërsa Shkodra dhe zona veriore më 29 nëntor, duke shënuar fundin e pushtimit gjerman në të gjithë vendin. Shqipëria mbetet i vetmi vend në Ballkan që arriti të çlirohet kryesisht me forcat e veta, ndërkohë që vendet e tjera u ndihmuan nga Ushtria e Kuqe.
