Skema e re e mësuesve në dispozicion, Ministria e Arsimit miraton udhëzimin për zëvendësimet në shkolla me kufirin deri në 82 mësues

0
9

Tiranë – Ministria e Arsimit ka miratuar udhëzimin e ri që rregullon skemën dhe detyrat e mësuesve në dispozicion në institucionet publike të arsimit parauniversitar, duke shfuqizuar pilotimin e mëparshëm të vitit 2023 dhe duke vendosur një kornizë të re për mbulimin e mungesave në shkolla. Sipas aktit të nënshkruar nga ministrja Mirela Kumbaro Furxhi, numri i përgjithshëm i mësuesve në dispozicion për të gjitha Zyrat Vendore të Arsimit Parauniversitar nuk mund të kalojë kufirin e 82 mësuesve në shkallë vendi, shifër e cila miratohet çdo vit nga Agjencia Kombëtare e Arsimit Parauniversitar në bazë të analizës së nevojave për zëvendësim, kohëzgjatjes së mungesave dhe shpërndarjes territoriale.

Zëvendësimet zbatohen për mungesa të përkohshme për shkaqe shëndetësore të vërtetuara me raporte mjekësore ose për leje administrative, ndërsa zyrat vendore emërojnë në këtë skemë punonjësit që në nisje të vitit shkollor mbeten pa ngarkesë mësimore, duke ndjekur për vendet e paplotësuara procedurat përmes portalit Mësues për Shqipërinë. Kontrata e punës lidhet me afat të caktuar deri në mbyllje të vitit shkollor, ndërsa për çdo mësues në dispozicion caktohet një shkollë publike si qendër pune ku paraqitet në ditët kur nuk është angazhuar për zëvendësim.

Gjatë periudhave kur nuk ka kërkesa emergjente për zëvendësime, kjo kohë llogaritet plotësisht si kohë pune dhe mësuesit qëndrojnë në gatishmëri për përditësimin e planeve mësimore, përgatitjen e materialeve didaktike, punën me ekipet lëndore dhe zhvillimin profesional, pa u ngarkuar me detyra administrative, teknike apo shërbimi jashtë profilit të tyre mësimor. Procesi i zëvendësimeve dhe i pranisë do të ndiqet përmes regjistrave mujorë dhe formularëve standardë, ndërsa në fund të çdo viti shkollor, brenda muajit korrik, Agjencia Kombëtare e Arsimit Parauniversitar do t’i dërgojë Ministrisë së Arsimit raportin kombëtar të funksionimit, me hyrje në fuqi menjëherë pas publikimit në Fletoren Zyrtare.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu