Dolly Parton, e cila u ngrit nga një fëmijëri modeste në majat më të larta të muzikës amerikane dhe u shndërrua në një nga yjet më të dashur të vendit dhe e cilësuar si “mbretëresha” e muzikës country, ka ndërruar jetë të martën në shtëpinë e saj në Nashville, sipas një deklarate të familjes. Ajo ishte 80 vjeçe.
Në deklaratën e bërë nga nipi i saj, Bryan Seaver, thuhet se Parton ndërroi jetë “në paqe”. Sipas familjes, do të zhvillohet një ceremoni e vogël dhe private, ku do të marrin pjesë vetëm familjarët e saj të afërt.
Gjatë një karriere që zgjati më shumë se gjysmë shekulli, Parton pasqyroi më së miri kulturën amerikane përmes muzikës së saj, duke shkruar më shumë se 3 mijë këngë. Mes tyre ishte “Coat of Many Colors”, një dedikim i ndjerë për nënën e saj, e cila qepte rroba në shtëpinë e familjes në zonat rurale të Tennessee.
Ajo shkroi dhe interpretoi këngë për dashurinë dhe zemrat e thyera, si “Jolene” dhe “I Will Always Love You”. Ndërsa “9 to 5”, kënga titull e filmit me të njëjtin emër, ku Parton luajti gjithashtu, u shndërrua në një himn për gratë dhe punëtorët amerikanë.
Shuhet në moshën 80-vjeçare “mbretëresha” e
Parton publikoi gjithsej 49 albume dhe fitoi 11 çmime Grammy. Ajo u bë një nga artistet më të suksesshme të muzikës country që arritën të depërtonin edhe në tregun pop, duke sjellë vazhdimisht hite në klasifikimet pop, përfshirë “Islands in the Stream”, një duet me Kenny Rogers.
Në vitet e mëvonshme të jetës, Parton e drejtoi një pjesë të madhe të suksesit të saj drejt bamirësisë. Ajo themeloi një program bibliotekash që ka shpërndarë më shumë se 300 milionë libra për fëmijët në mbarë botën.




