BallinaArgëtim“Akullthyesit” rikthehen në skenën e Skampës, një natë magjike me muzikë dhe...

“Akullthyesit” rikthehen në skenën e Skampës, një natë magjike me muzikë dhe nostalgji

Elbasan, 10 tetor 2026 – Grupi legjendar elbasanas “Akullthyesit” është rikthyer në skenën e Teatrit “Skampa”, duke dhuruar një koncert të veçantë që solli emocione, nostalgji dhe kujtime për publikun. Nën ritmet e muzikës dhe tingujt e këngëve që kanë lënë gjurmë në kujtesën e disa brezave, publiku përjetoi një mbrëmje të veçantë, duke dëshmuar edhe një herë lidhjen e fortë të grupit me qytetin e Elbasanit.

Këngët e njohura, tekstet me ndjenjë dhe interpretimi muzikor rikthyen atmosferën e viteve kur “Akullthyesit” u bënë një prej grupeve më të dashura për publikun shqiptar.

Këngëtari Ymer Ashiku u shpreh i emocionuar për pritjen dhe rikthimin në skenën e qytetit.

“Ne kemi qenë një grup që i kemi dhënë shumë qytetit dhe kjo është arsyeja pse njerëzit rikthehen te muzika jonë. Jam shumë i lumtur. Ishte një natë magjike. Sollëm muzikë të mirë, këngë me ndjenjë dhe tekste që prekin e përjetohen. Besoj se ky koncert do të mbahet mend gjatë”, u shpreh Ashiku.

Edhe drejtori i Qendrës së Artit në Bashkinë e Elbasanit, Klinton Kapaj, e vlerësoi rikthimin e grupit si një moment krenarie për qytetin, duke theksuar rëndësinë e trashëgimisë së tij muzikore dhe përvojën shumëvjeçare të artistëve. Koncerti ishte rezultat i rreth katër muajve përgatitje.

Një histori që nisi në Elbasan

“Akullthyesit” u krijuan në Elbasan në vitin 1989, me iniciativën e Bledi Shishmanit dhe Gentjan Haxhiademit. Grupi u dallua për ndërthurjen e muzikës rock me tekste të ndjera dhe një identitet të veçantë artistik, duke tërhequr që në fillimet e tij vëmendjen e të rinjve dhe të njohësve të muzikës.

Në vitin 1991, grupi mbajti koncertin e parë në Teatrin “Skampa”, me titull “Motiv i largët”. Një vit më pas, mori pjesë në Festivalin Kombëtar të Këngës në Radio Televizion me këngën “Vrasje në errësirë”, duke nisur një rrugëtim që do ta lidhte emrin e tij me skenën muzikore shqiptare.

Gjatë viteve në vijim, “Akullthyesit” sollën këngë që u bënë pjesë e repertorit të tyre më të njohur, mes të cilave “Vetmi e harruar”, “E dashura”, “Djemtë”, “Mos më moho” dhe “Pse jo?”. Në Festivalin e Pranverës, grupi u rendit në vendin e tretë në vitet 1997 dhe 1998, ndërsa në Festivalin e Këngës të vitit 1997 fitoi gjithashtu çmimin e tretë.

Përtej suksesit artistik, grupi u kujtua edhe për gjestin bamirës të dhurimit të çmimit të fituar në vitin 1997 për “Përjetorja 8 Nëntori”, në një periudhë të vështirë për Shqipërinë.

Rikthimi në Teatrin “Skampa” nuk ishte thjesht një koncert, por një takim mes muzikës dhe kujtesës kolektive. Për publikun elbasanas, “Akullthyesit” mbeten pjesë e identitetit artistik të qytetit, ndërsa kjo mbrëmje dëshmoi se këngët e krijuara ndër vite vazhdojnë të ruajnë fuqinë për të bashkuar breza dhe për të ngjallur emocione.

RELATED ARTICLES

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments