Shisnin kanabis pranë shkollave/ Policia arreston shtatë persona

LAÇ- Policia ka zhvilluar një operacion në Laç për goditjen e veprimtarisë së paligjshme të shitjes së drogës dhe organizimit të lojërave të fatit. Sipas njoftimit zyrtar të policisë, në kuadër të këtij operacioni, u arrestuan shtatë persona.

Katër persona janë ndaluar, ndërsa dy të tjerë janë arrestuar në flagrancë për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim. Mësohet se gjithashtu u arrestua pronari i subjektit, i cili sipas Policisë nuk e kishte regjistruar aktivitetin dhe punonjësit në organet kompetente.

Njoftimi i policisë:

“Sektori për Hetimin e Narkotikëve, Seksioni i Mbështetjes Operacionale dhe Sektori i Forcës së Posaçme “Shqiponja”, të DVP Lezhë, dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë (FNSH) Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, finalizuan operacionin policor të koduar “Perimetri 2”.

Operacioni u finalizua pas disa muajsh hetime me metoda speciale, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative, për disa shtetas që ushtronin aktivitetin kriminal të shitjes së lëndëve narkotike, në doza, në qytetin e Laçit.

Si rezultat i veprimeve hetimore dhe operacionale, u bë i mundur dokumentimi ligjor i kësaj veprimtarie kriminale, ndalimi i 4 shtetasve dhe arrestimi në flagrancë i 2 të tjerëve, të gjithë banues në Laç, Kurbin, si të dyshuar për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim. Nga hetimet dyshohet se këta shtetas siguronin lëndë narkotike Cannabis Sativa, të cilën e ndanin në doza dhe e shitnin në zona të ndryshme në qytetin e Laçit, në disa raste edhe afër shkollave.

Gjithashtu, gjatë operacionit, u zbulua 1 lokal ku organizoheshin lojëra fati, me kompjuterë, në kundërshtim me ligjin. Për këtë rast, u arrestua pronari i lokalit, babai i 2 prej shtetasve të arrestuar, i cili nuk e kishte regjistruar subjektin dhe punonjësit, në organet kompetente. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme.”, njofton Policia.