Korçë, 22 nëntor 2026 – Është zbardhur identiteti i personit që mbeti i plagosur me armë të ftohtë pasditen e kësaj të diele në afërsi të fshatit Nevicisht të Korçës, i cili është shtetasi Anxhelo Brisku. Pas transportimit me urgjencë në spitalin e Korçës, ku po merr ndihmën mjekësore për tre goditjet me thikë të marra në trup dhe ndodhet në gjendje të stabilizuar jashtë rrezikut për jetën, ai ka dhënë edhe dëshminë e tij paraprake për ngjarjen.
Sipas deklarimeve të vetë Briskut para hetuesve, ai është goditur nga disa persona të cilët pretendon se nuk i njeh, duke mos dhënë detaje të tjera mbi identitetin e tyre. Ende mbeten të paqarta shkaqet dhe motivet e këtij sulmi, ndërkohë që grupi hetimor vijon punën për verifikimin e dëshmisë, zbardhjen e plotë të rrethanave dhe identifikimin e autorëve të dyshuar.
Korçë/Informacion paraprak
Rreth orës 18:30, është paraqitur në spital për ndihmë mjekësore, jashtë rrezikut për jetën, shtetasi A. B., rreth 30 vjeç, i cili dyshohet se është dëmtuar me mjet prerës, në rrethana ende të paqarta, gjatë një konflikti të çastit, në rrugë, në fshatin Neviçisht.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve.
