Sa të sigurta janë nga zjarri apartamentet në Shqipëri? Eksperti: Problemi është se merret për banesë, kthehet në biznes

Prej 2015 ligji për mbrojtjen nga zjarri i dha kompetenca shërbimit zjarrfikës që të inspektojë punimet nëse projekti po zbatohet apo jo siç duhet për mbrojtjen nga zjarri dhe shpëtimin, përfshi sistemin hidrik në çdo pallat.

Megjithatë një ligj tjetër për kompetencat e administratorëve iu lë barrën të reagojnë të parët , përgjegjësi që angazhon njëlloj edhe administratorët e njësive të shërbimit si bare, restorante .

Gjergji Simaku: Ka nevojë për një paketë të plotë për luftën kundër zjarrit, nuk është e plotë si legjislacion dhe duhet të marrë parasysh zhvillimet dhe një ndër to janë ndërtimet. Kjo gjë kërkohet për çdo banorë në Shqipëri, që ka një kafaz shkallësh, ka metoda të ndryshme të kontrollit kur del nga një dritare duhet ta presë që mos të kalojë në dritaret e tjera.

Shkëlqim Goxhaj: Shërbimi zjarrfikës ne po mendojmë që në të ardhmen që jo vetëm që administratorët e njësive të shërbimit por të gjithë punonjësit e sigurisë, mendojmë që në të ardhme të afërt të trajnohen në qendrën kombëtare të trajnimit të shërbimit zjarrfikës për të cilin po punojmë t’i trajnojmë, ata dhe zjarrfikësit vullnetarë.

Fjorald Saliko: Nuk është e nevojshme të ketë task forca, por institucionet të kontrollojnë në kohë dhe cilësia e materialeve të jetë adekuate dhe conform rregullave ISO dhe s’ka nevojë për gjëra suplementare apo të mbivendosura

Përtej vetëmohimit të çdo zjarrfikësi për kryerjen e detyrës, një raport i kontrollit të lartë të shtetit evidenton shqetësimin se ky shërbim nuk e plotëson standardin 1 zjarrfikës për 1500 banorë të përcaktuar nga i njëjti ligj. Kontrolli i lartë i shtetit ngre alarmin se nuk është arritur mbulim i plotë i territorit dhe monitorimit në terren për efektivitetin e mbrojtjes nga zjarri.

Shkëlqim Goxhaj: Shërbimi zjarrfikës pavarësisht se ligji e parashikon se ne mund të kemi edhe forca të tjera, unë mendoj se shërbimi zjarrfikës i Tiranës është i mjaftueshëm me 200 forca për të përballuar çdo situatë. Siç e keni parë edhe në zonat urbane dhe rurale janë të rralla që ngjarjet marrin përmasa, ne kemi zjarre gati 200 në vit dhe ne i izolojmë dhe kemi pajisjet dhe forcat

Ndërkohë qendrat e reja të banimit kthehen të diskutueshme në një kohë kur destinacioni i apartamenteve vijon të tjetërsohet në njësi shërbimi.

Alban Qafa: Është IMT, IMT, dhe policia bashkiake që duhet të kontrollojnë territorin dhe kuptimi i territorit, është që duhet parë edhe ambienti pse e ke ndryshuar si destinacion, të gjitha këto janë elementë që duhet të shikohen. Por nëse policët bashkiakë shohin vetëm gjobat sigurisht që ndodh kështu. Institucionet janë bashkia ka një të punësuar për tetë banorë, emërtimi në hipotekë është garazh ndërsa në realitet është rrobaqepësi.