Rama mbledh qeverinë në Pogradec, në shtator pritet Asambleja e PS-së; në diskutim ndryshime në kabinet

Ministrat e qeverisë “Rama 4” nuk do të kenë pushime verore deri në fund të muajit gusht. Kryeministri Edi Rama do të vijojë traditën e takimeve informale të kabinetit qeveritar, të njohura si retreat, në prag të nisjes së sesionit të ri parlamentar.

Burime qeveritare i kanë konfirmuar gazetarit të Top Channel, Muhamed Veliu, se më 24 dhe 25 gusht të gjithë ministrat do të raportojnë mbi prioritetet dhe objektivat e ministrive që drejtojnë për muajt në vijim. Sipas të njëjtave burime, takimi pritet të zhvillohet në qytetin e Pogradecit.

Ndërkohë, brenda Partisë Socialiste nuk përjashtohet mundësia që në fillim të shtatorit të mblidhet edhe Asambleja Kombëtare, përpara rifillimit të punimeve të Kuvendit, seanca e parë e të cilit është planifikuar të zhvillohet më 7 shtator.

Nëse kjo mbledhje do të realizohet, ajo mund të shërbejë si momenti kur kryeministri dhe njëherazi kryetari i PS-së, Edi Rama, të shpallë ndryshime në kabinetin qeveritar.

Prej disa javësh, në qarqet qeveritare flitet për një rifreskim të mundshëm të kabinetit, me ndryshime që mund të prekin të paktën gjashtë ministri. Megjithatë, çdo vendim mbetet në dorën e kryeministrit Rama, i cili ka dëshmuar edhe më herët se ndryshimet në qeveri i ndërmerr në mënyrë të papritur.

Fillimi i muajit shtator pritet të jetë një periudhë me zhvillime të rëndësishme, si për qeverinë ashtu edhe për Partinë Socialiste. Rama ka shtuar kërkesën për llogaridhënie ndaj ministrave dhe drejtuesve politikë, një qasje që është konkretizuar edhe përmes dokumentit “Besa”, të cilin e ka prezantuar si metodën e re të punës për mandatin e katërt qeverisës.

Nëse do të thirret Asambleja Kombëtare e Partisë Socialiste, në rendin e ditës pritet të përfshihet edhe mocioni për hapjen e dialogut kombëtar mbi një marrëveshje të re për Shqipërinë, i depozituar nga deputetja Elisa Spiropali.