Rama i përgjigjet motrës së Erjon Vishkullit: E çova unë në Itali, shpenzimet i mbuloi shteti. Kur e takova në Rinas…

0
22

Kryeministri Edi Rama ka reaguar në rrjetet sociale pas postimit të motrës së 28-vjeçarit nga Elbasani, Erjon Vishkulli, i cili u plagos në sy gjatë protestës së djeshme në Tiranë.

Rama sqaroi se iniciativa për dërgimin e të riut për trajtim të specializuar në Itali është marrë prej tij personalisht dhe se transporti me avion mjekësor, si edhe të gjitha shpenzimet, janë mbuluar nga shteti.

Sipas kryeministrit, ai e ka takuar të riun dhe të vëllanë e tij në sallën VIP të aeroportit përpara nisjes drejt Romës, ku edhe i ka uruar shërim të shpejtë.

Rama theksoi se reagimi i tij nuk lidhet me protagonizmin, por me humanizmin, duke shtuar se pas përfundimit të dhunës në protesta, edhe personat e lënduar duhet të marrin ndihmën dhe trajtimin e nevojshëm mjekësor.

“Kur pushon marrëzia e gurëve e molotovëve, edhe dhunuesit e lënduar janë qytetarë të këtij vendi që duhen ndihmuar, mjekuar, shëruar,” shkruan Rama, duke i uruar edhe një herë shërim 28-vjeçarit Erjon Vishkulli.

Deklarata e plotë e Ramës:

Motra e djalit nga Elbasani paska postuar tekstin bashkëngjitur, prandaj me shumë keqardhje më duhet t’i rikthehem kësaj teme për këdo që e lexon, shpërndan apo publikon postimin e saj.

Siç informova më parë, iniciativën për shërbimin e specializuar mjekësor të djalit në Itali nuk e kanë marrë “persona”, po e kam marrë unë personalisht dhe vajta e tij në Romë me avion mjekësor, si edhe mbulimi i shpenzimeve janë mundësuar pikërisht nga SHTETI dhe nga askush tjetër! Madje i kam uruar të shkuara përpara se sa të nisej bashkë me të vëllanë nga salla VIP e aeroportit, prej ku nisem për jashtë edhe unë vetë, Presidenti i Republikës apo Kryetari i Kuvendit.

Aspak për protagonizëm, sepse protagonizmin këto ditë e kanë të gjithin dhunuesit dhe nxitësit e tyre, po për humanizëm, sepse kur pushon marrëzia e gurëve e molotovëve, edhe dhunuesit e lënduar janë qytetarë të këtij vendi që duhen ndihmuar, mjekuar, shëruar.

Të shkuara edhe njëherë.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu