Disa zhvillues të Amazon mund të jenë hutuar nga ndryshimi i shpejtë i qasjes së kompanisë ndaj Inteligjencës Artificiale. Fillimisht, grupi teknologjik u vendosi shumicës së zhvilluesve objektiva për përdorimin e mjeteve të AI-së.
Gjatë këtij viti, Amazon nisi të monitoronte nivelin e përdorimit dhe të publikonte rezultatet në tabela të brendshme renditjeje.
Por, pasi Financial Times raportoi në maj se disa punonjës po automatizonin detyra jo thelbësore vetëm për të përmirësuar pozicionin e tyre në renditje, Amazon i hoqi këto tabela nga përdorimi.
“Ju lutem, mos përdorni AI vetëm për hir të përdorimit të AI-së”, u tha punonjësve Dave Treadwell, zëvendëspresident i lartë i Amazon.
Ky ndryshim tregoi se punëdhënësit po rishikojnë mënyrën se si e nxisin dhe e matin përdorimin e Inteligjencës Artificiale. Ndërsa kompanitë që ofrojnë modele të AI-së po kalojnë nga tarifat me abonim te faturimi sipas sasisë së përdorimit, kostot e përdorimit të pakontrolluar po bëhen gjithnjë e më të dukshme.
Përdorimi i tabelave të renditjes dhe përfshirja e nivelit të përdorimit të Inteligjencës Artificiale në vlerësimin e punonjësve është “një mënyrë vërtet e pakuptimtë për të vepruar”, tha Jacob Lauritzen, drejtor i teknologjisë në Legora, kompani që zhvillon zgjidhje të inteligjencës artificiale për sektorin juridik, në podcast-in “20VC” muajin e kaluar.
“Punonjësit duhet të shpërblehen për efektivitetin, efikasitetin dhe rezultatet më të larta, jo thjesht për faktin se përdorin Inteligjencën Artificiale”, tha ai.
Pas hedhjes në përdorim publik të ChatGPT nga OpenAI në vitin 2022, shumë punonjës të kompanive të mëdha shqetësoheshin se përdorimi i këtyre mjeteve mund të shihej si një formë mashtrimi. Për këtë arsye, ata kishin më shumë gjasa ta fshihnin përdorimin e tyre sesa ta bënin publik.
Por, ndërsa mundësitë e Inteligjencës Artificiale gjeneruese u bënë më të qarta, kompanitë nisën ta nxisnin përdorimin më të gjerë të saj.
Në prill 2025, për shembull, Tobias Lütke, drejtuesi ekzekutiv i platformës kanadeze të tregtisë elektronike Shopify, e përcaktoi përdorimin e natyrshëm dhe të vazhdueshëm të Inteligjencës Artificiale si “një pritshmëri bazë”, duke e përfshirë atë edhe në vlerësimet e performancës së punonjësve.
Kompania tha se ekipet që kërkonin staf shtesë duhej të demonstronin përse AI-ja nuk mund ta kryente detyrën.
Microsoft e bëri të detyrueshëm përdorimin e AI-së nga zhvilluesit dhe e vendosi atë si një tregues kryesor në vlerësimin e punonjësve.
Kompania e konsulencës Accenture deklaroi vitin e kaluar se punonjësit që nuk arrinin të përmirësonin aftësitë e tyre për epokën e AI-së do të “largoheshin”. Deri në shkurt të këtij viti, kompania po i lidhte perspektivat e promovimit të drejtuesve të lartë me përdorimin e mjeteve të saj të Inteligjencës Artificiale.
Shoosmiths, një firmë ligjore me seli në Londër, ofroi një bonus prej 1 milion paundësh për të gjithë kompaninë, nëse punonjësit regjistronin 1 milion kërkesa në Microsoft Copilot gjatë vitit deri në mars.
Kjo periudhë eksperimentimi çoi në një fenomen të ri, ku punonjësit nisën të konkurronin për të regjistruar sa më shumë përdorime të Inteligjencës Artificiale, jo domosdoshmërisht për të rritur efektivitetin e punës.
Përpjekja për t’i deleguar më shumë detyra AI-së dhe për ta lidhur përdorimin e mjeteve të reja me vlerësimet e punonjësve i ka shqetësuar ata, jo vetëm sepse kanë frikë se teknologjia mund t’u kërcënojë vendet e punës.
“Ata po na shtyjnë t’i përshtatim problemet tona me mjetin, në vend që të përshtatim mjetin me problemin. Jemi në një mënyrë funksionimi të tipit: ‘lëviz shpejt, përdore menjëherë dhe më vonë do të shohim ku kemi mbërritur’”, thotë një inxhinier sistemesh që kërkon të mbetet anonim.
Ai shton se punonjësit që e përqafojnë këtë qasje mund të fitojnë vlerësim, por fushata ka sjellë edhe gabime të shkaktuara nga AI-ja, të cilat kërkojnë shumë kohë për t’u korrigjuar.
Një tjetër inxhinier i lartë i programeve back-end thotë se është “shumë i pakënaqur” që përdorimi i AI-së është bërë një tregues zyrtar i performancës.
“Kjo ma heq mundësinë e zgjedhjes. Duhet t’u lihet njerëzve si unë të vendosin se cili është mjeti më i mirë për t’u përdorur. Nuk mendoj se duhet të penalizohem pse nuk përdor një mjet që nuk e konsideroj të përshtatshëm”, thotë ai.
Ravin Jesuthasan, partner i lartë dhe drejtues global për shërbimet e transformimit në konsulencën e burimeve njerëzore Mercer, thotë:
“Këtë vit, për herë të parë, fillova të shoh pjekuri në diskutimin për Inteligjencën Artificiale. Tani duhet të shohim kthim nga investimi, në vend që ta përdorim kudo pa e ditur nëse do të funksionojë.”
Duke folur në një webinar të Financial Times për përdorimin e AI-së javën e kaluar, Tanuj Kapilashrami, drejtor operacional i bankës Standard Chartered dhe bashkautor me Jesuthasan i librit të vitit 2024 The Skills-Powered Organization, tha:
“Mendoj se për shumicën e kompanive ka marrë fund periudha kur teknologjia përdorej thjesht për hir të saj dhe eksperimentimi nxitej pa u lidhur me nevojat dhe realitetin tregtar të biznesit.”
Megjithatë, kufizimi i përdorimit të teknologjisë është i papranueshëm për disa kompani, perspektivat e të cilave lidhen drejtpërdrejt me rritjen e përdorimit të AI-së.
Jensen Huang, drejtuesi ekzekutiv i Nvidia-s, tha në podcast-in All-In në mars se shqetësohej se inxhinierët e tij po përdornin shumë pak tokenë të AI-së (njësitë bazë të tekstit që përpunon modeli dhe mbi të cilat llogaritet përdorimi dhe kostoja).
“Nëse një inxhinier që paguhet 500 mijë dollarë në vit nuk konsumon të paktën 250 mijë dollarë tokenë, do të shqetësohem seriozisht”, paralajmëroi ai.
Jon Lester, zëvendëspresident i IBM-së për teknologjinë e burimeve njerëzore, të dhënat dhe AI-në, thotë:
“Për ne, kufizimi i inovacionit përmes objektivave dhe kufijve arbitrarë për çështje të caktuara është një diskutim shumë i vështirë. Ne duam që 270 mijë punonjësit tanë të sjellin ide që nuk i kanë pasur më parë dhe të krijojnë inovacionin e ardhshëm që do të ndryshojë mënyrën se si punojmë.”
Ndërsa kostot e përdorimit të tokenëve rriten dhe kompanitë fillojnë të vendosin kufij për përdorimin e AI-së, disa prej tyre po instalojnë sisteme që i drejtojnë pyetjet më të thjeshta te modelet e mëdha gjuhësore me burim të hapur ose te versione më pak intensive në përdorimin e tokenëve.
Ato po zhvillojnë gjithashtu mënyra më të sofistikuara për të nxitur përdorimin e duhur të Inteligjencës Artificiale.
Kristy Ellmer nga Boston Consulting Group, bashkautore e librit How Change Really Works, thotë se në vend që t’i vendoset “një vlerë monetare krijimit të një aftësie të re në ChatGPT”, kompanitë duhet të pyesin:
“Sa njerëz po e përdorin realisht këtë aftësi? A po krijon vërtet vlerë?”
Rob Fisher, zëvendëskryetar i firmës së shërbimeve profesionale KPMG në SHBA, thotë:
“Kam besuar gjithmonë se shpërblimet janë shumë më të fuqishme se ndëshkimet, ndaj mendoj se jemi përpjekur të mbështetemi më shumë te stimujt pozitivë.”
KPMG ofron një panel ku punonjësit mund të krahasojnë përdorimin e AI-së dhe ka krijuar çmimin tremujor “AI Spark” për risitë më të mira në këtë fushë.
AllianceBernstein ka vendosur një grup tjetër stimujsh, me synimin që menaxherët e aseteve të vënë në pikëpyetje rezultatet e chatbot-eve.
“Ne pyesim: Sa herë e kundërshtove atë që tha AI-ja? Sa herë e anashkalove rekomandimin e saj? A e regjistrove atë vendim? A kishe të drejtë në shumicën e rasteve apo gabove në shumicën e rasteve?”, tha Andrew Chin, drejtuesi i Inteligjencës Artificiale në kompani, në webinarin e Financial Times.
IBM i lidh stimujt e vet me programet e trajnimit dhe zhvillimit.
Dhjetë vjet më parë, grupi vendosi një objektiv prej të paktën 40 orësh trajnimi në vit për çdo punonjës. Në atë kohë, numri real i orëve të trajnimit ishte 31 për punonjës. Që atëherë, ai është rritur në 87 orë dhe objektivi është hequr.
Pritshmëria është që “punonjësit të përdorin mjetet e AI-së për të përmirësuar produktivitetin e tyre individual ose të ekipit”, thotë Lester.
Përdorimi dhe rezultatet monitorohen, por nuk ka një stimul formal, megjithëse Lester thotë se kompania mund t’u drejtohet punonjësve duke u thënë:
“Vlerësimi ynë është se ky mjet duhet t’ju kursejë kohë. A mund të na shpjegoni si grup ose si ekip përse nuk po e përdorni?”
Rreth 1,200 punonjësit e Shoosmiths e arritën objektivin e 1 milion kërkesave katër muaj përpara afatit dhe përfituan bonusin. Rreth 200 partnerët e firmës iu bashkuan gjithashtu nismës, por u shpërblyen përmes një skeme tjetër.
Firma u kërkoi punonjësve të mos përdornin AI-në për të krijuar imazhe, pjesërisht për të kufizuar ndikimin mjedisor, dhe ta përdornin Microsoft Copilot vetëm për “biznesin e ligjit”, si kërkime dhe hartim emailesh, jo për “praktikën e ligjit”.
Përtej kësaj, punonjësit ishin të lirë të eksperimentonin.
“Ne thjesht donim që njerëzit ta përdornin teknologjinë. Ishim më pak të shqetësuar për mënyrën se si e përdornin”, thotë drejtuesi ekzekutiv David Jackson.
“E dinim gjithmonë se në vitin e dytë fokusi do të ishte te aftësia reale për të përdorur AI-në.”
Bonusi i ardhshëm për të gjithë firmën do të paguhet nëse punonjësit arrijnë një objektiv të caktuar certifikimesh në një skemë trajnimi me disa nivele.
Jackson thotë se firma nuk u ka kërkuar punonjësve të ngadalësojnë përdorimin e kërkesave, edhe pse kostot e tokenëve po rriten.
“Por, për shkak se po flasim për përdorim me qëllim të qartë, kjo çështje është zgjidhur vetvetiu”, thotë ai./ Financial Times




