ELBASAN — Është siguruar fotoja e 69-vjeçarit Hamit Ibro, trupi i pajetë i të cilit u nxor rreth orës 00:40 nga gërmadhat e pallatit në lagjen “Qemal Stafa” në Elbasan, pas orësh të tëra kërkimesh nga Policia, Forcat e Armatosura, Emergjencat Civile dhe Zjarrfikësit.
Nga ngjarja tragjike humbi jetën edhe 82-vjeçarja Hatixhe Berisha, ndërsa 10 banorë të tjerë morën asistencë mjekësore në spital si pasojë e asfiksisë, duke e çuar në dy numrin e viktimave nga deflagracioni i fuqishëm.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Elbasanit dhe deklaratës së Drejtorit të Policisë së Qarkut, Kastriot Skënderaj, hetimet paraprake me ekspertët xhenierë të RENEA-s konfirmojnë se shpërthimi shkatërrues u shkaktua nga prania e tepërt e gazit në apartamentin e 69-vjeçarit.
Shpërthimi shkaktoi dëme të rënda strukturore ku tri kate u kthyen në gërmadhë, duke detyruar evakuimin e menjëhershëm të 15 familjeve. Bashkia e Elbasanit ka sistemuar një pjesë të banorëve në konvikte, ndërsa pjesa tjetër është strehuar te të afërmit e tyre.
Aktualisht, godina është shpallur plotësisht e pabanueshme dhe rrethohet nga një perimetër i rreptë sigurie nga policia, ndërsa pritet vlerësimi teknik nga ekspertët e Institutit të Ndërtimit për të përcaktuar nëse ndërtesa do të rikonstruktohet apo do të prishet.



