Psikologët apel për më shumë mbështetje ndaj grave gjatë shtatzënisë dhe pas lindjes

Mirëqenia mendore dhe emocionale e nënës është thelbësore për shëndetin e saj dhe të foshnjës në çdo etapë të mëmësisë.

Në kuadër të Javës së Ndërgjegjësimit për Shëndetin Mendor të Nënës, specialistët e dy materniteteve në Tiranë apeluan për më shumë vëmendje, mbështetje dhe kujdes ndaj grave që përballen me ankthin, lodhjen emocionale dhe sfidat psikologjike gjatë shtatzënisë dhe pas lindjes.

Psikologia pranë maternitetit “Mbretëresha Geraldinë” u shpreh se shëndeti mendor i grave është një çështje e gjerë dhe me rëndësi të veçantë, ndaj fokusi kryesor mbetet organizimi i bisedave dhe takimeve mbështetëse me gratë shtatzëna dhe nënat e reja.

Ajo bëri të ditur se në Qendrën e Gruas organizohen rregullisht klasa prenatale, ku trajtohen tema të ndryshme që lidhen me shtatzëninë, lehoninë, ushqyerjen me gji dhe kujdesin për foshnjën.

“Një nga temat më të rëndësishme që trajtojmë është depresioni pas lindjes. Qëllimi ynë është që në këto klasa të krijojmë një ambient të ngrohtë, të sigurt, mbështetës dhe jo paragjykues për nënat e reja, duke përfshirë edhe familjarët në këtë proces”, tha psikologia.

Sipas saj, përveç takimeve në grup, zhvillohen edhe seanca individuale në varësi të rasteve dhe nevojave të nënave.

“Nga puna dhe trajnimet që kemi zhvilluar me pacientet kemi vënë re rezultate pozitive, sidomos në menaxhimin e depresionit postpartum dhe të problemeve emocionale gjatë shtatzënisë”, theksoi ajo.

Ndërkohë, psikologia e maternitetit “Koço Gliozheni” u shpreh se Java e Ndërgjegjësimit për Shëndetin Mendor të Nënës shërben për të rritur ndërgjegjësimin mbi rëndësinë e kujdesit psikologjik për gratë gjatë periudhës së shtatzënisë dhe pas lindjes.

“Si psikologe në maternitet jam çdo ditë në kontakt me nëna që po përjetojnë një nga periudhat më të rëndësishme dhe më të bukura të jetës së tyre, por njëkohësisht edhe një nga periudhat më të ndjeshme emocionalisht”, u shpreh ajo.

Sipas saj, shumë gra nuk flasin për ndjenjat e tyre, pasi ekziston perceptimi se shtatzënia dhe lindja duhet të jenë vetëm periudha lumturie.

“Edhe pse janë momente shumë të lumtura, duhet të kuptojmë se kjo është një periudhë komplekse dhe kërkon vëmendje të shtuar ndaj shëndetit mendor të nënës. Një nënë me shëndet të mirë mendor ndikon drejtpërdrejt në mirëqenien psikologjike të fëmijës, zhvillimin e tij dhe ekuilibrin e familjes”, tha psikologia.

Ajo apeloi që nënat të kërkojnë ndihmë profesionale sa herë që ndihen të mbingarkuara emocionalisht apo të pasigurta.

“Të dashura nëna, jemi këtu për t’ju dëgjuar, jo për t’ju gjykuar. Synimi ynë është t’ju ofrojmë mbështetje, këshillim profesional dhe kujdesin e duhur në momentin e duhur”, përfundoi ajo.