Dy persona janë shpallur në kërkim nga Policia e Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë, pas dyshimeve se kanë tentuar të vrasin një 57-vjeçar duke vendosur lëndë plasëse në automjetin e tij në muajin shkurt të këtij viti.
Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur më 05.02.2026, në zonën e “Kryqëzimit të Urës së Vrinës” në Konispol, ku objekt i sulmit ka qenë shtetasi M. Gj., 57 vjeç.
Sipas njoftimit zyrtar, si rezultat i hetimeve të kryera nga strukturat për Hetimin e Krimeve të Rënda në DVP Vlorë dhe Komisariati i Policisë Sarandë, nën drejtimin e Prokuroria pranë Gjykatës së Sarandës, janë identifikuar dhe shpallur në kërkim dy shtetasit G. T., 39 vjeç dhe Xh. B., 39 vjeç, të dy banues në Sarandë.
Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë ka caktuar për ta masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me paramendim, e mbetur në tentativë”, e kryer në bashkëpunim, si dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve dhe eksplozivëve”.
Hetimet paraprake sugjerojnë se autorët kanë vendosur një sasi lënde plasëse në automjetin e viktimës së dyshuar, me qëllim eliminimin e tij.
Policia bën me dije se puna për kapjen e tyre vijon, ndërsa në bashkëpunim me prokurorinë po hetohet edhe për identifikimin e personave të tjerë të mundshëm të përfshirë në këtë ngjarje.













