Një ngjarje e rëndë ndodhi ditën e djeshme në qytetin e Korçës, ku një 20-vjeçar ka mbetur i vrarë me armë zjarri. Viktima është identifikuar si Johan Zuko, efektiv i Forcave të Armatosura. Ai u qëllua nga Kristjan Sterjo, i cili ka dhënë dhe dëshminë e tij në lidhje me këtë ngjarje të rëndë. Para autoriteteve ai ka dëshmuar se konflikti me viktimën lidhej me disa episode të mëparshme, duke shtuar se ajo e cila ka sjellë agravimin e situatës ka qenë ngacmimi i të dashurës së tij.
Hetuesit po verifikojnë edhe konfliktet e mëparshme mes dy të rinjve, të cilët dyshohet se kishin pasur përplasje për shkak të rivalitetit mes tyre dhe pretendimeve se kush ishte “i forti i lagjes”. Bëhet me dije se autori i dyshuar dhe viktima ishin konfliktuar verbalisht disa ditë përpara ngjarjes.
Bazuar në dëshminë e autorit, ditën e ngjarjes ai ka marrë armën dhe ka shkuar në ndjekje të 20-vjeçarit, ku pas kësaj e ka qëlluar me një plumb pas shpine. Plumbi e ka prekur në pjesën e poshtme të shpatullës dhe i ka dalë nga ana tjetër.
E gjithë ngjarja e rëndë ka ndodhur në katin e tretë të një pallati në lagjen nr. 15, në rrugën “Viktor Eftimiu”, ku autori e ndoqi viktimën përpara se të kryente krimin dhe të largohej në drejtim të varrezave.
Kristjan Sterjo njihet si një nga personat me precedentë dhe problematika të theksuara në qytetin e Korçës, i njohur gjithashtu për një stil jetese të shkujdesur, ndërsa tani do të përballet me drejtësinë për akuzën e rëndë të vrasjes. Grupi hetimor vijon punën për të zbardhur të plotë dinamikën e ngjarjes, ndërsa dëshmia e autorit të dyshuar dhe provat e mbledhura pritet të ndihmojnë në përaktimin e rrethanave dhe motivit të saktë që çoi në krimin e rëndë.




