“Nata e tmerrit” në Krujë/ Flakët iu afruan banesave dhe spitalit, ja çfarë la pas zjarri

KRUJË- Një zjarr i madh përfshiu ditën e djeshme Malin e Kujës, ku situata u përshkallëzua pasi flakët hynë në oborret e shtëpive, iu afruan magazinave dhe një pike të shpërndarjes së gazit. Pas kësaj Bashkia e Krujës lëshoi një urdhër urgjent evakuimi për banorët e zonave të Barabit dhe Llubanit, si pasojë e situatës kritike të krijuar nga përhapja e shpejtë e flakëve.


Gjithçka i përkiste kaosit, ku intensiteti i flakëve sa vinte dhe rritej, ndërsa banorët gjendeshin mes frikës dhe ankthit, pasi zjarri rrezikonte banesat e tyre. Megjithatë gjendja më kritike u paraqit në Barabit dhe Lluban, ku flakët e favorizuara nga era avancuan drejt zonave të banuara. Situatë e vështirë u krijua edhe në Spitalin e Krujës, pasi zjarri u afrua deri rreth 50 metra nga godina dhe pacientët u evakuuan gjatë natës.

Një magazinë është shkrumbëruar plotësish, ndërsa dëmet materiale janë të konsiderueshme. Në operacion u përfshinë mbi 200 efektivë të strukturave të emergjencave civile dhe Forcave të Armatosura, si dhe 80 efektivë të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit. Në terren dhe nga ajri u angazhuan 21 mjete zjarrfikëse, 3 helikopterë, droni Bayraktar TB2, 2 dronë me kamera termike të AKMC-së dhe autoambulanca.

Zjarri la pas dëme të mëdha në natyrë, me një sipërfaqe të konsiderueshme pyjore të djegur dhe një magazinë të shkrumbuar. Banorët përjetuan orë të vështira mes frikës dhe pasigurisë, ndonëse nuk pati asnjë të lënduar.