Policia ka ndërhyrë gjatë mëngjesit të sotëm para Kryeministrisë, ku prej rreth një jave qytetarë dhe protestues kanë qëndruar duke kaluar natën në shenjë revolte kundër qeverisë, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Sipas të dhënave, rreth 100 efektivë policie janë vendosur në zonë dhe kanë larguar me forcë protestuesit që ndodheshin para godinës. Pas ndërhyrjes, forcat e rendit kanë pastruar hapësirën, duke mbledhur edhe këpucët e lëna në shkallët e Kryeministrisë, të cilat protestuesit i kishin vendosur si simbol të emigrimit të të rinjve dhe mungesës së perspektivës në vend.
Ky veprim ka shkaktuar reagime nga ana e qytetarëve të pranishëm, ku në disa momente janë regjistruar tensione dhe “përplasje” verbale mes një protestueseje dhe efektivëve të policisë që kishin krijuar kordon sigurie përreth godinës. Protestuesit e kanë cilësuar heqjen e instalacionit simbolik si cenim të një “vepre artistike” dhe shprehjeje publike të pakënaqësisë.
Më pas, policia ka vijuar me sekuestrimin e disa stolave metalikë që përdoren nga protestuesit si barriera sigurie dhe si pjesë e strukturës së improvizuar të tubimit, ku qytetarët shprehnin çdo mbrëmje pakënaqësitë e tyre.
Ndërkohë, organizatorët e protestës kanë njoftuar se sot pritet të zhvillohet protesta e 29-të radhazi kundër qeverisë. Sipas tyre, kërkesa kryesore mbetet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama, ndërsa kanë deklaruar se tubimet do të vazhdojnë deri në përmbushjen e kësaj kërkese, duke ftuar qytetarët për pjesëmarrje masive.






