Policia jep informacionin zyrtar: Burri vrau gruan për motive të dobëta!

SHKODËR – Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër ka dalë me një njoftim zyrtar lidhur me krimin e rëndë brenda familjes që tronditi mesditën e sotme lagjen “Mark Lula”.

Sipas të dhënave zyrtare të saktësuara nga uniformat blu, ngjarja ka ndodhur rreth orës 13:30, ku shtetasi Sh. Z., 62 vjeç (Shtjefën Ziçi), dyshohet se për motive të dobëta ka qëlluar për vdekje me armë zjarri bashkëshorten e tij, shtetasen B. Z., rreth 55 vjeçe (Bardhe Ziçi).

Shërbimet e Policisë kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje sapo kanë marrë sinjalizimin për të shtënat. Falë ndërhyrjes së shpejtë, është bërë i mundur kapja në flagrancë dhe prangosja e autorit të dyshuar, i cili është shoqëruar menjëherë në mjediset e Komisariatit të Policisë Shkodër për kryerjen e veprimeve të mëtejshme procedurale.

Gjithashtu, efektivët kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale armën e zjarrit me të cilën 62-vjeçari kreu krimin e rëndë ndaj bashkëshortes.

Aktualisht, grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, po vijon veprimet në terren për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë ligjor të rrethanave dhe motiveve specifike të kësaj ngjarjeje të rëndë.

Shkodër / Informacion paraprak

Rreth orës 13:30, në lagjen “Mark Lula”, dyshohet se për motive të dobëta, shtetasi Sh. Z., 62 vjeç, ka vrarë me armë zjarri, bashkëshorten e tij, shtetasen B. Z., rreth 55 vjeçe.

Shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe kanë kapur autorin e dyshuar, shtetasin Sh. Z., i cili u shoqërua në Komisariat, për kryerjen e veprimeve procedurale.
Gjithashtu, shërbimet e Policisë kanë sekuestruar armën e zjarrit me të cilën dyshohet se është kryer krimi.

Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.