Një tjetër rast i kalimit të paligjshëm të kufirit është goditur në vendin tonë.
Dy të rinj të moshave 20 dhe 23-vjeç janë arrestuar nga policia në Elbasan për trafikim emigrantësh.
Sipas njoftimit të Policisë, dy të rinjtë po transportonin 8 emigrantë nga vendet e tret, të cilët kishin hyrë ilegalisht në vendin tonë.
Gjatë operacionit, janë sekuestruar edhe dy automjetet me të cilat do të transportoheshin emigrantët.
Njoftimi i Policisë:
DVP Elbasan/Finalizohen 2 faza të tjera të operacionit policor të koduar “Aksi”, për goditjen e veprimtarisë kriminale të dhënies së ndihmës për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt përfitimit.
Arrestohen 2 shtetas që transportonin 8 emigrantë nga Vendet e Treta, të cilët kishin hyrë ilegalisht në Shqipëri. Sekuestrohen 2 automjete të përdorura për transportimin e emigrantëve.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të DVP Elbasan, në vijim të operacionit policor të koduar “Aksi”, bazuar në informacionet e siguruara, kanë finalizuar edhe 2 faza të tjera të këtij operacioni. Konkretisht:
Gjatë fazës së operacionit “Aksi 4”, u arrestua në flagrancë shtetasi L. L., 23 vjeç, banues në Shkozet. Gjatë fazës së operacionit “Aksi 5”, u arrestua në flagrancë shtetasi E. M., 20 vjeç, banues në Durrës.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 2 automjetet e përdorura për transportimin e emigrantëve.
Vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale, si dhe për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.




