Plas në Rrjoll kundër resortit luksoz. Banorët përplasen me policinë. Heqin gardhin dhe hyjnë në kantier

VELIPOJË – Situata në Rrjoll është përshkallëzuar këtë të shtunë, ku banorët lokalë kanë dalë në protestë kundër ndërtimit të një resorti luksoz në zonë, duke kundërshtuar rrethimin e kantierit me tela me gjemba dhe mure mbrojtëse.

Sipas pamjeve nga vendngjarja, protestuesit kanë arritur të heqin pjesë të gardhit rrethues dhe kanë hyrë brenda kantierit ku po zhvillohen punimet. Zona ku po ndërtohet resorti lidhet me investitorin Bashkim Ulaj, ndërsa banorët pretendojnë se punimet po kryhen në toka për të cilat ata kërkojnë njohje pronësie.

Prej kohësh, banorët e Baks-Rrjollit kundërshtojnë projektin, duke e konsideruar atë si cenim të pronave të tyre dhe mungesë transparence në procesin e dhënies së lejeve të ndërtimit.

Tensionet janë rritur edhe më tej pas vendosjes së rrethimit të fortifikuar në zonën e kantierit, veprim që banorët e kanë interpretuar si përjashtim të tyre nga territori që ata e pretendojnë si pronë familjare.

Një ditë më parë, gjatë një proteste në Tiranë për çështje të ngjashme pronësie në zonën e Zvërnecit, disa qytetarë bënë thirrje për mobilizim edhe në Rrjoll, duke kërkuar heqjen e gardhit dhe ndalimin e punimeve në kantier.

Policia nuk ka dhënë ende një reagim zyrtar lidhur me situatën e krijuar në terren, ndërsa pritet të ketë zhvillime të mëtejshme pas përplasjes mes banorëve dhe punimeve të projektit.