KORÇË- Një 29-vjeçar është paraqitur mbrëmjen e kaluar në urgjencën e spitalit të Korçës me dëmtime në pjesë të ndryshme të trupit. Mësohet se i riu është dhunuar rreth 13 ditë më parë në qytetin e Kalkidhës, në Greqi, nga efektivë të policisë greke. 29-vjeçari, banues në Maliq, është ndaluar dhe më pas dhunuar, pasi është ngatërruar si autor i një vepre penale.
Pas verifikimeve të kryera nga autoritetet greke, Maldin Maxhari ka rezultuar i pafajshëm. Maxhari ka bërë kallëzim pranë policisë greke për dhunën e ushtruar ndaj tij, ndërsa më pas është dëbuar nga territori grek dhe është kthyer në Shqipëri përmes pikës kufitare të Kakavijës.
Për shkak të gjendjes shëndetësore dhe dëmtimeve të marra, 29-vjeçari është paraqitur në spitalin e Korçës, ku po merr ndihmën e nevojshme mjekësore. Si pasojë e dhunës, dyshohet se ai ka pësuar dëmtime në brinjë dhe në shpretkë. Ndërkohë, policia ka marrë deklarimet e të riut dhe pritet të përcaktohen procedurat që do të ndiqen më tej./




