SHKODËR- Është vetëdorëzuar në Policinë e Shkodrës Pjerin Bitani, i dyshuar si autori i plagosjes me armë zjarri të Vladimir Bruçit, ngjarje e ndodhur pasditen e sotme rreth orës 14:30 në Shkodër Mësohet se, dorëzimi i tij erdhi pas negociatave të zhvilluara mes efektivëve të policisë dhe autorit të dyshuar.
Sipas burimeve nga grupi hetimor, ngjarja ka rrjedhur pas një debati banal mes dy personave, të cilët gëzonin marrëdhënie miqësore prej vitesh. Shkak për konfliktin dyshohet të jenë bërë kamerat e sigurisë të lokalit në pronësi të Bitanit. Bruçi i kishte kërkuar heqjen e tyre me pretendimin se banonte aty afër dhe kalonte çdo ditë nga ajo zonë.
Refuzimi i Bitanit bëri që debati verbal të agravonte deri në përdorimin e armës së zjarrit, ku për pasojë mbeti i plagosur Vladimir Bruçi. I dëmtuari është transportuar me urgjencë në Spitalin Rajonal të Shkodrës, ku ndodhet nën kujdesin e mjekëve dhe jashtë rrezikut për jetën.
Pas vetëdorëzimit të autorit të dyshuar, policia po vijon kryerjen e veprimeve procedurale dhe hetimeve për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe dokumentimin ligjor të ngjarjes.




