Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur të pajisë me formularin tip grupin nismëtar që kërkon zhvillimin e një referendumi për shfuqizimin e Ligjit nr. 21/2024, “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin për zonat e mbrojtura”.
Grupi, i përbërë nga 12 përfaqësues të shoqërisë civile, aktivistë të mjedisit, gazetarë dhe përfaqësues të organizatave mjedisore, do të nisë tashmë procesin e mbledhjes së 50 mijë firmave të zgjedhësve të regjistruar në Regjistrin Kombëtar të Zgjedhësve.
Në kërkesën drejtuar KQZ-së, nismëtarët argumentojnë se ndryshimet ligjore të miratuara në vitin 2024 dobësojnë mekanizmat e mbrojtjes së natyrës dhe krijojnë mundësi për ndërtime turistike brenda zonave të mbrojtura.
Një nga pikat që kundërshtohet është koncepti i “turizmit të ekselencës”, për të cilin grupi nismëtar pretendon se krijon bazë ligjore për ndërtimin e strukturave akomoduese dhe infrastrukturës turistike në zona me status të veçantë mbrojtjeje.
Sipas tyre, ndryshimet mund të sjellin fragmentim të habitateve, dëmtim të korridoreve ekologjike, presion mbi burimet ujore dhe humbje të shërbimeve të ekosistemit. Nismëtarët argumentojnë gjithashtu se ndryshimet mund të bien ndesh me angazhimet ndërkombëtare të Shqipërisë dhe objektivat e mbrojtjes së zonave të rrjetit Natura 2000.
Pyetja e referendumit
Nëse sigurohen firmat e nevojshme dhe përmbushen kushtet ligjore, qytetarëve do t’u propozohet kjo pyetje:
“A duhet të shfuqizohet Ligji nr. 21/2024, ‘Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 81/2017, Për zonat e mbrojtura’?”.
Nisma vjen pas protestave të zhvilluara në Tiranë nga organizata mjedisore dhe aktivistë, të cilët kanë kërkuar anulimin e ndryshimeve ligjore.
Nga ana tjetër, Qeveria i ka mbrojtur ndryshimet, duke argumentuar se synojnë zhvillimin e turizmit elitar dhe investimeve turistike, pa cenuar mbrojtjen e natyrës.
Me vendimin e KQZ-së për pajisjen me formularin tip, nisma hyn në një fazë të re: grupi nismëtar duhet të mbledhë 50 mijë firmat e kërkuara për të vijuar procedurën drejt referendumit.




