Pas aksidentit tragjik të autobusit të linjës Berat-Tiranë në autostradën Durrës-Tiranë, ku humbi jetën shoferi dhe mbetën të plagosur 12 persona, familja e një prej të lënduarve më të vegjël ka bërë apel për ndihmë.
8-vjeçari Arenso Sadushi, i cili ndodhet i shtruar në Spitalin Universitar të Traumës, ka pësuar dëmtime tepër të rënda dhe, sipas familjarëve, mjekët janë detyruar t’i amputojnë njërën këmbë për t’i shpëtuar jetën.
Për të mbështetur trajtimin e Arensos është hapur edhe një fushatë në GoFundMe, ku familjarët shpjegojnë se fondet do të përdoren për shpenzimet mjekësore, rehabilitimin, protezën dhe çdo trajtim që do t’i nevojitet vogëlushit në muajt në vijim.




