ELBASAN – Një aksident rrugor është regjistruar mëngjesin e kësaj të diele në aksin kombëtar Peqin–Elbasan, pranë fshatit Gjocaj, ku janë përfshirë tre automjete.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 09:10, në një nga rrugët hyrëse që lidhen me aksin kombëtar, në zonën rurale pranë Peqinit. Si pasojë e përplasjes, dy persona kanë pësuar lëndime të lehta, ndërsa fatmirësisht nuk është raportuar për viktima.
Sipas të dhënave paraprake, dy prej automjeteve të përfshira kanë pësuar dëmtime materiale. Të lënduarit kanë marrë ndihmën mjekësore dhe gjendja e tyre shëndetësore nuk paraqitet shqetësuese.
Menjëherë pas aksidentit, në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë Rrugore, të cilat kanë ndërhyrë për menaxhimin e trafikut dhe normalizimin e qarkullimit të mjeteve në këtë aks rrugor.
Grupi hetimor ka nisur punën për të përcaktuar shkaqet dhe rrethanat e plota të aksidentit.
Ky është aksidenti i tretë i regjistruar në pak ditë në segmentin pranë Gjocajt, duke rikthyer vëmendjen mbi nevojën për rritjen e masave të sigurisë rrugore dhe kujdesin e shtuar nga drejtuesit e automjeteve.




