Përleshje në burgun e Fierit, dy të burgosur përfundojnë në spital

FIER- Një konflikt mes disa të burgosurve është regjistruar në ambientet e burgut të sigurisë së lartë në Fier, ku për pasojë dy të burgosur kanë mbetur të plagosur.

Ngjarja ka ndodhur në dhomën e ajrimit të institucionit, ndërsa sipas të dhënave paraprake, të plagosurit dyshohet se janë goditur me mjete të improvizuara, mes tyre edhe brisqe rroje.

Pas nisjes së konfliktit, forcat e sigurisë së burgut kanë ndërhyrë menjëherë, duke neutralizuar situatën dhe rikthyer të burgosurit në qelitë e tyre.

Dy të plagosurit janë transportuar me urgjencë në Spitalin Rajonal të Fierit, ku kanë marrë ndihmën e parë mjekësore. Sipas burimeve spitalore, gjendja e tyre shëndetësore paraqitet e qëndrueshme dhe ata ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Burime nga institucioni i vuajtjes së dënimit bëjnë me dije se njëri prej të plagosurve ndodhej në paraburgim. Ndërkohë, stafi drejtues i burgut është thirrur me urgjencë për të shqyrtuar situatën dhe rrethanat e incidentit.

Ende nuk dihen rrethanat e plota që çuan në nisjen e konfliktit. Po ashtu, nuk janë bërë të ditur emrat e dy të plagosurve apo të personave të tjerë të përfshirë në sherr.

Pritet një reagim zyrtar nga drejtoria e institucionit të vuajtjes së dënimit për të sqaruar dinamikën e ngjarjes dhe masat e marra pas incidentit.