TIRANË – Pagat në tregun shqiptar të punës kanë vijuar trendin rritës edhe gjatë muajve të parë të vitit 2026, të nxitura nga mungesa e fuqisë punëtore dhe konkurrenca në rritje mes bizneseve për të tërhequr dhe mbajtur punonjësit.
Megjithatë, pavarësisht rritjes së treguesve mesatarë, një pjesë e konsiderueshme e të punësuarve vijon të përballet me të ardhura modeste. Të dhënat më të fundit të Institutit të Statistikave tregojnë se paga mediane mujore bruto arriti në 74,010 lekë gjatë tremujorit të parë të vitit 2026, duke shënuar një rritje prej 19 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Paga mediane nënkupton se gjysma e punonjësve në vend paguhen nën këtë nivel dhe gjysma tjetër mbi të. Pas zbritjes së kontributeve të sigurimeve shoqërore, sigurimeve shëndetësore dhe tatimit mbi të ardhurat, rezulton se rreth 50 për qind e të punësuarve marrin më pak se 60 mijë lekë neto në muaj.
Rritja më e ndjeshme e pagave është regjistruar gjatë tremujorit të parë të këtij viti, kur paga mediane u rrit me 11.2 për qind krahasuar me fundin e vitit 2025. Sipas ekspertëve, një ndikim të rëndësishëm në këtë zhvillim ka pasur rritja e pagës minimale, e cila ka krijuar një efekt zinxhir në të gjithë strukturën e pagave.
Nga ana tjetër, paga mesatare bruto në ekonomi arriti në 90,119 lekë në muaj, me një rritje vjetore prej 9.6 për qind. Ajo mbetet rreth 18 për qind më e lartë se paga mediane, megjithëse diferenca është ngushtuar krahasuar me vitin e kaluar.
Ekspertët theksojnë se paga mediane është një tregues më i besueshëm për të vlerësuar nivelin real të të ardhurave në shoqëri, pasi nuk ndikohet nga pagat shumë të larta të një grupi të vogël individësh, siç ndodh me pagën mesatare.
Megjithëse rritja e pagave konsiderohet një zhvillim pozitiv për ekonominë, niveli prej rreth 60 mijë lekësh neto në muaj për gjysmën e forcës së punës mbetet një sfidë për fuqinë blerëse të familjeve shqiptare, veçanërisht në kushtet e rritjes së kostos së jetesës.
Për individët që jetojnë vetëm dhe paguajnë qira, sidomos në Tiranë, kjo shumë shpesh mjafton vetëm për të përballuar shpenzimet bazë të jetesës. Një pjesë e konsiderueshme e të ardhurave shkon për strehimin, ndërsa fondet e mbetura përdoren për ushqim, transport dhe shërbime të tjera të domosdoshme.
Sipas vlerësimeve të specialistëve, një pagë neto prej 60 mijë lekësh në muaj ofron një standard më të pranueshëm jetese vetëm kur shërben si e ardhur shtesë brenda një familjeje ose për të rinjtë që sapo kanë hyrë në tregun e punës dhe nuk mbajnë ende përgjegjësi të mëdha financiare.




