BallinaAnalizëOpinion/ “Prisni sa t’ia marr Bajramit Presidencën”

Opinion/ “Prisni sa t’ia marr Bajramit Presidencën”

Nga Arben Lagreta (Emilia Romagna)

Ashtu siç pritej, Netanjahu dhe Vuçiç i humbën zgjedhjet. Por kjo nuk duket se do të ketë ndikim te lideri ynë “rajonal dhe global”, për shumë arsye. Në këtë reflektim krejt spontan, po parashtroj argumentet e mia pa u thelluar shumë.

Një nga arsyet më të forta të betonizimit të Ramës në karrigen e tij, si dhe të pandjeshmërisë së tij prej 5 muajsh protestash paqësore para shtëpisë së tij të dytë — kryeministrisë —, është dhuna që policia po ushtron ndaj protestuesve javët e fundit. Vetëm naivët nuk e lidhin këtë fenomen me mungesën e një orientimi nga lart, ashtu si në çdo fushë tjetër përgjatë autokracisë së tij më se 13-vjeçare në pushtet. Ky zgjim i provokuar nga një tërheqje zvarrë ishte shumë i vonuar për shqiptaret. Më tepër akoma kur vetëm një vit më parë, në zgjedhjet parlamentare, Rama — domethënë ajo që ka mbetur nga PS-ja — fitoi plot 83 mandate.

Po a nuk ishin prezente po aq sa edhe sot të gjitha problemet e mprehta që gërryejnë shoqërinë shqiptare, për të cilat protestohet prej 5 muajsh? Absolutisht po, por shqiptarët preferuan abstenimin në masë, si dhe patën fatkeqësinë e pasjes së një opozite anemike. Qysh nga marrëveshja e ndryshimit të kodit zgjedhor Rama–Berisha më 21 prill 2008, PD-ja është de facto në aleancë me me sektin që ka uzurpuar PS-në.

Ato 83 mandate i japin atij sigurinë për të vazhduar, sepse që kur Nano e katapultoi nga emigrant në Paris në Ministër Kulture në prill 1998, ai ka më se 28 vjet që nuk pyet e nuk ka asnjë lloj ndjeshmërie. Aq më tepër që në vitet e fundit e ka tepsinë e pushtetit vetëm për vete.

Mirëpo, përshkallëzimi i fuqishëm i protestave mendoj se do ta detyrojë Ramën të bëjë një devijim, gjithnjë duke vijuar qëndrimin në pushtet. Mandati i Presidentit aktual Bajram Begaj mbaron në korrik 2027. Duke gjykuar intensitetin e protestave në Tiranë, por sidomos edhe lëvizjet e fundit të disfavorshme në planin ndërkombëtar me rënien nga froni të dy aleatëve të tij, mos t’i duket askujt çudi që ai të synojë marrjen e çelësave të Presidencës, madje edhe para afatit. Këtë ai mund ta bëjë me vetëm një mesazh drejtuar Presidentit për dorëheqje.

Veçse për të përmbushur egon e tij, Ramës nuk do t’i shkonte kurrë ndërmend të ulej në atë karrige vetëm për të shpërndarë dekorata e për të mbetur thjesht noter nën hijen e kryeministrit pasardhës, në një kohë që autori i fitimit të atyre 83 mandateve është ai vete. Mjafton vetëm një urdhër dhe me propozim nga “poshtë”, deputetët do të votonin ndryshimet kushtetuese duke i rikthyer Presidentit — domethënë Ramës — kompetencat që kishte në bazë të Kushtetutës së nëntorit 1998, të cilat iu hoqën ish-Presidentit Bamir Topi në vitin 2008.

Në këtë pozicion të ri, Rama përsëri do të kontrollonte çdo gjë me dorë të hekurt, njëlloj si në një republikë presidenciale, ndërsa do t’ia linte përplasjen me protestat kryeministrit të ri të emëruar prej tij.

Sa për ndërkombëtarët apo aleatët strategjikë, askujt nuk i bie ndërmend për një vend si Shqipëria. Sidomos në Brukselin e Ursulës, e cila vetëm pak javë më parë në Tiranë e ngriti Ramën në qiell, së bashku me vartëset e saj.

Sa për popullin, janë dhënë prova me kohë që jo vetëm Rama, por thuajse krejt kjo klasë politike nuk ka ndjeshmëri dhe as që e ka pyetur ndonjëherë. Për më tepër që me emërimin e kryeministrit të ri, Rama dhe bëmat e tij harrohen mjaftueshëm në Presidencë përgjatë 5 viteve. Jo më kot e bëri ashtu si e bëri reformën në drejtësi dhe formoi SPAK-un. Shqiptarët kanë pasur dhe vijojnë të kanë historikisht probleme të renda me kujtesen. Konica dhe Fishta na e kanë bërë me kohë radiografinë para më se një shekulli — çka e kanë vënë re jo rarë edhe të huaj dashamirës, duke i perkufizuar shqiptarët si njerëz me kujtesë të shkurtër.

Dhe loja vazhdon…

RELATED ARTICLES

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

- Advertisment -

Most Popular