Kosova po përballet me një bilanc alarmant të vrasjeve të grave.
Gjatë vitit 2026, tetë gra janë vrarë në Kosovë, në raste që kanë tronditur opinionin publik dhe kanë vënë sërish në pikëpyetje efektivitetin e mekanizmave institucionalë për parandalimin e dhunës dhe garantimin e sigurisë së grave, shkruan Klan Kosova.
Pavarësisht deklaratave të vazhdueshme të përfaqësuesve të institucioneve, disa prej këtyre rasteve kanë nxitur reagime të forta, veçanërisht kur janë shoqëruar me pikëpyetje mbi masat e marra për parandalimin e dhunës dhe mbrojtjen e viktimave.

Vrasja e Arlinda Zekajt, mbrëmjen e 25 tetorit në Vitomiricë të Pejës, e çoi në tetë numrin e grave të vrara gjatë këtij viti në Kosovë, sipas rasteve të raportuara. Mes viktimave janë një grua rreth 60-vjeçare, një 25-vjeçare shtatzënë dhe një tjetër grua që kishte kërkuar mbrojtje nga institucionet vetëm tri ditë para se të vritej.
Janar – Restelicë, Dragash
Viti nisi me një ngjarje të rëndë në fshatin Restelicë të Dragashit, ku u gjet e pajetë një grua rreth 60-vjeçare. Për vrasjen e saj dyshohej djali, rreth 30 vjeç. Sipas Policisë, i dyshuari u arrestua dhe u ndalua për procedura të mëtejshme ligjore, ndërsa autoritetet nisën hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes.
Mars – Majac, Podujevë

Një tjetër ngjarje e rëndë u shënua në fshatin Majac të Podujevës, ku si pasojë e të shtënave me armë zjarri humbën jetën dy gra dhe një burrë.
Sipas Policisë, Ardita Gashi dyshohej se kishte qëlluar për vdekje Ilaz Brahimin, 45 vjeç, i cili ndërroi jetë në vendin e ngjarjes. Më pas, ajo dyshohej se kishte marrë peng dhe plagosur Miradije Gashin. Kjo e fundit nuk arriti t’u mbijetonte plagëve dhe vdiq në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Ndërkohë, edhe e dyshuara ndërroi jetë në spital, prej plagëve që kishte marrë.
Gusht – Malishevë

Mbrëmjen e 23 gushtit, Jetlira Foniqi Bytyqi, 25 vjeçe dhe shtatzënë, humbi jetën pasi u plagos me armë zjarri në fshatin Kërvasari të Malishevës.
Për vrasjen e saj dyshohej bashkëshorti, Egzon Foniqi, 26 vjeç, i cili gjithashtu kishte mbetur i plagosur nga arma e zjarrit. Pavarësisht trajtimit mjekësor, Jetlira nuk arriti t’u mbijetonte plagëve, ndërsa bashkëshorti i saj ndërroi jetë më vonë në spital.
Gusht – Prizren
Një tjetër rast tragjik u regjistrua në Prizren, ku një grua 80-vjeçare, me inicialet L.D., dyshohej se ishte vrarë nga bashkëshorti i saj, 81 vjeç.
Shtator – Poterq i Epërm, Klinë
Në Poterq të Epërm të Klinës, Zoje Zeneli, 81 vjeçe, u sulmua nga djali i saj.
Ajo pësoi lëndime të rënda dhe u dërgua për trajtim në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Pas afro një muaji në trajtim, më 6 tetor, ajo ndërroi jetë në QKUK. Ngjarja nuk është zbardhur ende plotësisht…
Tetor – Livoç i Ulët, Gjilan
Më 9 tetor, të shtënat me armë zjarri në Livoç të Ulët të Gjilanit u morën jetën Nafije Bogujevcit dhe vëllait të saj, Egzon Bogujevcit.
Për rastin dyshohej bashkëshorti i Nafijes, i cili, më pas u dorëzua në Polici.
Tetor – Vitomiricë, Pejë

Rasti më i fundit është vrasja e Arlinda Zekajt, e cila humbi jetën mbrëmjen e djeshme në Vitomiricë të Pejës. Për vrasjen e saj dyshohet kunati, i cili është shpallur në kërkim nga policia.
Rasti ka ngjallur shqetësim të veçantë për shkak të asaj që kishte ndodhur vetëm tri ditë para vrasjes së saj.
Më 22 tetor, Arlinda i ishte drejtuar me një shkresë urgjente kryeprokurores së Prokurorisë Themelore në Pejë, duke kërkuar ndërhyrje dhe duke shprehur shqetësimin për sigurinë e saj.
Në letrën e saj, ajo kishte paralajmëruar për rrezikun me të cilin përballej, duke shkruar: Uroj që të mos detyroheni të jepni llogari vetëm pasi të jetë marrë jeta ime.
Tetë rastet e raportuara gjatë vitit 2026 rikthejnë në vëmendje nevojën për trajtimin serioz të dhunës ndaj grave dhe reagimin në kohë të institucioneve përkatëse.
