“Nuk negocioj me njeri, janë në dispozicion”: Rama zbulon prapaskenat se si i zgjedh ministrat

Kryeministri Edi Rama ka folur për herë të parë mbi prapaskenat dhe kriteret që përdor për formimin e kabinetit të tij qeveritar, duke e krahasuar rolin e tij me atë të një trajneri që përcakton formacionin pa marrë miratimin e lojtarëve.

Gjatë deklaratës së tij, kreu i qeverisë sqaroi se anëtarët e strukturave drejtuese të Partisë Socialiste nuk njoftohen paraprakisht kur zgjidhen për të marrë një post ministror. Sipas tij, çdo eksponent i partisë është automatikisht pjesë e ekipit dhe duhet të jetë i gatshëm të marrë detyrën në çdo moment. Rama nëvizoi se diskuton përpara vetëm me emrat që vijnë jashtë radhëve të PS-së, ndërsa me figurat politike të partisë nuk bën asnjë lloj negociate.

“Nuk negocion trajneri nëse do të luash apo jo. Për sa kohë mua më kanë zgjedhur trajner, jam unë ai që e përcakton formacionin dhe s’ma përcakton njeri tjetër,” u shpreh ai.

I pyetur mbi kritikat për përqendrimin e vëmendjes publike vetëm te figura e tij, Rama u shpreh se në demokracitë moderne lideri është gjithmonë fytyra kryesore identifikuese e qeverisë dhe ai që mban përgjegjësinë përfundimtare për rezultatet, duke sjellë si shembull edhe emra të njohur të politikës botërore si Barack Obama apo Emmanuel Macron.