TIRANA- Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj ka reaguar pas transferimit të tij nga burgu i Durrësit, drejt atij të Fierit. Përmes një reagimi zyrtar, Veliaj u shpreh se pavarësisht kërkesave të përsëritura, për t’u njohur me aktin që urdhëron transferimin i është refuzuar vënia në dispozicion e këtij dokumenti.
Ai theksoi se nuk ka dhënë pëlqimin për këtë transferim dhe ka kundërshtuar mënyrën se si po realizohet. Në lidhje me këtë, ai shtoi se për të ky veprim përbën një rëmbim policor dhe cenon rëndë të drejtat e tij. Në fund, ai u bëri thirrje Ministrit të Drejtësisë, Avokatit të Popullit dhe Komitetit Shqiptar të Helsinkit të ndërhyjnë urgjentisht dhe të verifikojnë arsyet dhe shkaqet e këtij transferimi.
Reagimi
Sot, një grup punonjësish të Policisë së Burgjeve, të dërguar nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, janë paraqitur në IEVP Durrës për të më transferuar në burgun e Fierit.
Pavarësisht kërkesave të përsëritura, si nga unë ashtu edhe nga avokati im, për t’u njohur me aktin që urdhëron transferimin dhe arsyet që e justifikojnë atë, na është refuzuar vënia në dispozicion e këtij dokumenti. Një transferim i detyruar, pa më bërë të njohur aktin dhe arsyet ligjore mbi të cilat mbështetet, për mua përbën një rrëmbim policor dhe cenon rëndë të drejtat e mia.
Unë nuk kam dhënë pëlqimin për këtë transferim dhe kam kundërshtuar mënyrën se si po realizohet, pa transparencë dhe pa më mundësuar ushtrimin efektiv të të drejtave të mia ligjore. I kërkoj publikisht Ministrit të Drejtësisë, Avokatit të Popullit dhe Komitetit Shqiptar të Helsinkit të ndërhyjnë urgjentisht, të verifikojnë arsyet dhe shkaqet e këtij transferimi politik.











