Protesta kombëtare e nisur më 30 maj, apo ndryshe e quajtur “Revolucioni Flamingo” ka mbushur tashmë më shumë se një muaj, duke u kthyer në një nga tubimet më jetëgjatë dhe historike në vendin tonë. E teksa ditët kalojnë, ky tubim duket se ka ndryshuar edhe pamje, duke ardhur në përshkallëzim.
Në 30 ditët e mëparshme qytetarët gumbulloheshin paqësisht para Kryeministri, e më pas marshonin në rrugët e kryeqytetit duke iu bërë thirrje të gjithëve tu bashkoheshin. Pasditja e 29 qershorit ishte ajo që ndryshoi gjithçka.
Një grup studentësh u ngjitën në katin e sipërm të Universitetit Politeknik dhe nga aty, shfaqën një pankartë në të cilën shkruhej “Ju erdhi fundi”, dedikuar klasës politike shqiptare. Ata e varën banderolën me qëllimin që ajo të qëndronte aty, si një shenjë revolte. Megjithatë, rojet private të sigurisë në godinë ndërhynë duke e larguar. Kjo solli përplasje fizike mes tyre, madje duke lënë disa të lënduar dhe dëme materiale në hyrjen e godinës së universitetit.
Protesta e të hënës u mbyll me tensione por edhe me paralajmërimin për një tubim tjetër, këtë herë në dyert e Kuvendit, ku do të zhvillohej seanca parlamentare. Mëngjesi i të martës do të sillte një përshkallëzim të situatës, me përplasje të shumta mes policisë dhe protestuesve.
Qytetarët ishin të “armatosur” me vezë të cilët i përdorën për të gjuajtur ligjvënësit që hynin drejt Kuvendit, ndërsa vijonin thirrjet e përhershme kundër klasës politike. Tentativa e policisë për t’i larguar solli përplasje të dhunshme, me disa skena që nga shumë u krahasuan me ato të protestës së 23 majit në Zvërnec, ku një qytetar u tërhoq zvarrë nga rojet private.
6 persona u shoqëruan në komisariat, mes tyre edhe Dritan Goxhaj, ish-luftëtar i UÇK-së, i cili më herët është sulmuar edhe nga kryeministri Edi Rama pasi u shfaq si nj nga organizatorët e protestës. Nga Kuvendi, protesta u zhvendos para godinës së Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, ku qytetarët kërkonin lirimin e personave të shoqëruar. Tubimi vijoi deri në lirimin e këtyre të fundit, duke shënuar protestën e parë e cila vijoi gjithë ditën.
Pas tubimit të zakonshëm të nisur në orën 19:00, qytetarët paralajmëruan se tubimi i radhës do të ishte mëngjesi ne të mërkurës, para godinës së Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Dhe ashtu ndodhi. Në orë 10:00 ata u grumbulluan para SPAK, ku dorëzuan librin “Albanian Files”, të cilin e konsiderojnë si provë të abuzimit që kryeministri Edi Rama ka bërë duke lejuar ndërtime pa kriter në vendin tonë . Organizatorët folën në emër të të gjithë protestuesve duke shprehur mbështetje ndaj punës së SPAK në goditjen e korrupsionit dhe abuzimit të funksionarëve të lartë shtetërorë. Nga ana tjetër kërkuan rezultate të mëtejshme.
Sipas tyre, hetuesit e SPAK e pranuan librin si provë, megjithatë deri më tani nga ana e Prokurorisë së Posaçme nuk ka patur asnjë reagim në lidhje me këtë denoncim.
Edhe dita e sotme nisi me një protestë të tensionuar para Kuvendit. Në ndryshim nga data 30 qershor kur protesta para Kuvendit duket se i gjeti të “papërgatitur” efektivët e policisë, këtë herë gjithçka ishte nën kontroll. Në orët e hershme, policia kishte krijuar një kordon sigurie duke rrethuar të gjithë territori ne Kuvendit, duke mos lejuar asnjë qytetar që të kalonte dhe t’i afrohej godinës nga e cila do të hynin deputetët dhe ministrat. Kjo solli tensione duke bërë që të ketë përplasje të dhunshme mes tyre. Një qytetar u shfaq i gjakosur, 5 protestues janë shoqëruar deri më tani, ndërkohë që 3 efektivë policie janë lënduar për shkak të hedhjes së gurëve nga ana e protestuesve. Po ashtu, disa qytetarë të tjerë janë lënduar si pasojë e spray-t që policia hodhi drejt tyre.
Teksa para Kuvendit tensionet vijojnë, një pjesë e qytetarëve aktualisht janë zhvendosur drejt komisariatit nr 1, aty ku po mbahen protestuesit e shoqëruar më herët. Ata protestojnë duke kërkuar lirimin e tyre.
Protestat e fundit, dukshëm më të tensionuara dhe me incidente të shumta janë komentuar nga kryeministri Edi Rama, i cili i ka ndarë pjesëmarrësit në dy grupe. Sipas tij ata që protestojnë para Kuvendit janë “sorra dhe korba” që po përpiqen të përfitojnë nga qytetarët e tjerë. Ndërkohë qytetarët që marrin pjesë në tubimin para kryeministrisë, për Ramën janë “flamingo”.
Pas një muaji tubimi paqësor, që tërhoqi vëmendjen e të gjithë botës duke u kthyer në lajm kryesor, protesta duket se ka ndryshuar “faqe” dhe se po vijon të përshkallëzohet.




