Ndodh sërish/ Helmohen kursantët e Akademisë së Sigurisë, 30 persona përfundojnë në spital

TIRANË- Skandalet në Akademinë e Sigurisë me sa duket nuk kanë fund, pasi rreth 30 kursantë të Akademisë së Sigurisë në Sauk kanë shfaqur probleme shëndetësore pas konsumimit të ushqimit.

Bëhet me dije se kursantët kanë shfaqur simptoma si të vjella, diarre, temperaturë dhe dhimbje koke dhe janë transportuar në grupe drejt spitalit, ku kanë marrë ndihmën e nevojshme mjekësore.

Dyshimet e para për helmimin e kursantëve lidhet me ushqimin e furnizuar nga kompania e kateringut Sori Al që shërben pranë institucionit. Ky është rasti i dytë që ndodh brenda pak muajsh në Akademinë e Sigurisë.

Herën e parë kur ndodhi ky skandal u helmuan rreth 52 studentë që kishin konsumuar ushqimin e ardhur nga kateringu i ‘SORI-AL’. Nga mostrat e marra për analizë, rezultoi se makaronat ishin të kontaminuara me bakteret Escherichia coli dhe stafilokok.

Më pas, AKU fillimisht bllokoi aktivitetin e kësaj kompanie si dhe i gjobiti me 1.5 milionë lekë për ushqim të pasigurt dhe kushte të papërshtatshme higjeno-sanitare.

Ndërsa disa ditë më vonë zhbllokoi aktivitetin e kompanisë pasi analizat e mostrave për higjenën ambientale dhe të pajisjeve të punës brenda ambienteve të kuzhinës së Akademisë së Sigurisë, rezultuan brenda normave të lejuara për treguesit e higjenës.

Pas përsëritjes së këtij skandali, Policia e Shtetit dhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e ngjarjes dhe për të identifikuar përgjegjësit.