Ndahet nga jeta në moshën 101-vjeçare Rexhep Topi, një personalitet i njohur i Librazhdit dhe Prrenjasit

0
5

Është ndarë nga jeta në moshën 101-vjeçare Rexhep Topi, një prej figurave të njohura dhe të respektuara të trevës së Librazhdit dhe Prrenjasit.

I lindur më 8 qershor 1925 në Strelcë të Lozhanit, Korçë, Topi e lidhi pjesën më të madhe të jetës së tij me zhvillimin ekonomik dhe institucional të Librazhdit dhe Prrenjasit.

Gjatë karrierës së tij mbajti disa funksione të rëndësishme, ndër të cilat Drejtor i Konsumit në Ndërmarrjen e Stabilimentit të Sharrave në Stravaj, drejtues në sektorin e furnizim-shërbimeve, Drejtor i Minierave në Prrenjas pas vitit 1970, si dhe Kryetar i Këshillit Popullor të qytetit.

Edhe pas daljes në pension, ai vijoi angazhimin shoqëror, duke shërbyer si Kryetar i Komitetit të Veteranëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Për veprimtarinë dhe kontributin e tij ndër vite u vlerësua me tituj dhe dekorata në nivel vendor dhe qendror.

Përtej karrierës dhe përgjegjësive publike, Rexhep Topi ishte mbi të gjitha një bashkëshort, baba i gjashtë fëmijëve, gjysh dhe stërgjysh, duke lënë pas një familje të madhe dhe kujtime të çmuara.

Ndarja e tij nga jeta ka lënë një dhimbje të thellë te djemtë Halimi, Arturi, Genci dhe vajza Anila, te të gjithë familjarët, të afërmit dhe miqtë.

Me largimin e Rexhep Topit mbyllet rrugëtimi tokësor i një njeriu që jetoi më shumë se një shekull, duke përjetuar ndryshime të mëdha historike dhe shoqërore, por duke lënë gjurmë në jetën e komunitetit ku shërbeu dhe jetoi.

Kujtimi dhe kontributi i tij do të mbeten pjesë e historisë njerëzore të Librazhdit dhe Prrenjasit.

U prehtë në paqe!

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu