Momente paniku në Velipojë/ Dy pushues rrezikojnë të mbyten, shpëtohen nga Policia Kufitare

SHKODËR, 9 gusht 2026 – Dy pushues janë përballur me rrezikun e mbytjes në plazhin e Velipojës, por ndërhyrja në kohë e Policisë Kufitare ka bërë të mundur shpëtimin e tyre.

Ngjarja u konstatua gjatë një operacioni monitorimi të vijës bregdetare nga shërbimet e Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Shkodër. Patrullat policore, të asistuara nga dronë dhe mjete lundruese, konstatuan dy persona në vështirësi në det.

Shërbimet e Policisë Kufitare reaguan menjëherë me mjete lundruese Jet Ski, duke ndërhyrë dhe nxjerrë në siguri dy pushuesit.

Bëhet fjalë për M. P., 67 vjeç, banues në Burrel, dhe Z. N., 41 vjeç, banues në Velipojë.

Pas ndërhyrjes, të dy pushuesit janë nxjerrë në breg, duke shmangur një incident të rëndë.

Policia Kufitare vijon monitorimin intensiv të zonave bregdetare, veçanërisht gjatë ditëve me fluks të lartë pushuesish, ndërsa shërbimet janë në gatishmëri për të reaguar në çdo situatë emergjente.

Policia e Shtetit u bën apel qytetarëve të tregojnë kujdes gjatë qëndrimit në det dhe të shmangin çdo veprim që mund të rrezikojë jetën e tyre apo të pushuesve të tjerë.

Në rast emergjence ose konstatimi të një situate të rrezikshme, qytetarët mund të telefonojnë në numrin pa pagesë 112.