KSAMIL — Pesë turistë suedezë janë shpëtuar mbrëmjen e së dielës në Ksamil, pasi mjeti lundrues me të cilin po lundronin pësoi vështirësi në det dhe rrezikoi të fundosej.
Shërbimet e Policisë Kufitare dhe Njësisë Policore Detare, gjatë patrullimit në hapësirën detare të Ksamilit, konstatuan pedalonin me pesë turistët në bord duke kërkuar ndihmë.
Efektivët ndërhynë menjëherë, tërhoqën mjetin lundrues dhe e shoqëruan drejt bregut. Të pesë turistët u nxorën në mënyrë të sigurt dhe, sipas Policisë, ndodhen në gjendje të mirë shëndetësore.
Pas shpëtimit, turistët suedezë falënderuan efektivët për ndërhyrjen dhe ndihmën e dhënë në kohë.
Policia Kufitare dhe Njësia Policore Detare vijojnë patrullimet në hapësirat detare gjatë sezonit turistik, me fokus garantimin e sigurisë së pushuesve dhe parandalimin e incidenteve në det.
Njoftimi i Policisë:
“Ksamil/ Rrezikuan të mbyteshin në det, ndërhyrja e shpejtë e Policisë Kufitare dhe Njësisë Policore Detare shpëton 5 turistë suedezë. Ndërhyrja e shpejtë dhe profesionale e shërbimeve të Policisë Kufitare dhe Njësisë Policore Detare në Ksamil u ka ardhur në ndihmë 5 turistëve suedezë, të cilët rrezikuan të mbyteshin në det.
Gjatë patrullimit në hapësirën detare të Ksamilit, shërbimet e Policisë Kufitare dhe të Njësisë Policore Detare konstatuan një mjet lundrues tip pedalon, me 5 shtetas të huaj në bord, të cilët kërkonin ndihmë, pasi mjeti ndodhej në vështirësi dhe ekzistonte rreziku për mbytjen e tyre.
Shërbimet e Policisë ndërhynë menjëherë, duke u dhënë ndihmën e nevojshme, tërhequr pedalonin dhe e shoqëruar atë drejt bregut. Të 5 turistët u nxorën në breg në mënyrë të sigurt dhe, fatmirësisht, ndodhen në gjendje të mirë shëndetësore.
Pas shpëtimit, turistët suedezë falënderuan punonjësit e Policisë Kufitare dhe të Njësisë Policore Detare për ndërhyrjen në kohë dhe ndihmën e dhënë. Policia Kufitare dhe Njësia Policore Detare vijojnë të jenë të angazhuara maksimalisht për garantimin e sigurisë së jetës së qytetarëve dhe turistëve në hapësirat detare, veçanërisht gjatë sezonit turistik.”, njofton Policia.




