GRAZ – Një ngjarje e rëndë kriminale ka tronditur qytetin e Grazit në Austri, ku një 24-vjeçare shqiptare është gjetur e pajetë në banesën ku jetonte me partnerin e saj.
Viktima është identifikuar si Abigel Laçi, me origjinë nga Vlora. Sipas të dhënave paraprake të hetimit, e reja dyshohet se është goditur me çekiç dhe ka humbur jetën si pasojë e plagëve të marra.
Policia është njoftuar rreth orës 12:40 dhe, pas mbërritjes në banesë, ka gjetur 24-vjeçaren pa shenja jete. Në vijim të ndërhyrjes, autoritetet kanë arrestuar në shkallët e pallatit një 23-vjeçar, i cili raportohet se ishte i mbuluar me gjak.
I riu rezulton të jetë vëllai i partnerit të viktimës. Sipas hetuesve, ai dyshohet se ka shkuar i vetëm në apartament dhe ka hyrë me forcë, në një moment kur 24-vjeçarja ndodhej e vetme në banesë.
Hetuesit dyshojnë se çekiçi është përdorur në kryerjen e krimit. I dyshuari ka zgjedhur të mos japë shpjegime gjatë marrjes në pyetje dhe nuk ka sqaruar motivin e mundshëm.
Autopsia e viktimës është kryer, ndërsa autoritetet austriake vijojnë hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes dhe motivin e dyshuar të vrasjes.




