Konflikti me armë mes fqinjëve në Shkodër, dy të arrestuar

SHKODËR – Dy persona janë arrestuar nga Policia e Shkodrës, pasi dyshohet se u konfliktuan me njëri-tjetrin për motive të dobëta dhe përdorën armë zjarri për t’u kanosur.

Në pranga kanë rënë Ndoc Lufi, 63 vjeç, dhe Aleksandër Fojleta, 27 vjeç, të dy banues në lagjen “Tre Heronjtë” në Shkodër.

Sipas hetimeve paraprake, dy fqinjët janë përfshirë në një konflikt mbrëmjen e 25 qershorit 2026, gjatë të cilit kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të njëri-tjetrit. Nga të shtënat janë dëmtuar porta e oborrit të banesës së Ndoc Lufit, si dhe një automjet i parkuar në oborr.

Gjatë kontrolleve të ushtruara nga Policia, në banesën e Ndoc Lufit u gjet dhe u sekuestrua një armë zjarri kallashnikov, e dyshuar si e përdorur gjatë konfliktit. Ndërsa në banesën e Aleksandër Fojletës u sekuestruan municion luftarak dhe katër kallëpe lënde të dyshuar plasëse, tritol.

Në vijim të veprimeve hetimore, Policia shpalli në kërkim edhe një 26-vjeçar me inicialet A. F., banues në Shkodër, i cili dyshohet se ka qenë i pranishëm gjatë konfliktit, por nuk e ka kallëzuar ngjarjen tek autoritetet.

Policia bën me dije se vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e tij, si dhe për dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër për veprime të mëtejshme.

Shkodër

U konfliktuan për motive të dobëta dhe qëlluan me armë zjarri, për të kanosur njëri-tjetrin, vihen në pranga 2 shtetas.

Shpallet në kërkim 1 shtetas, për moskallëzim krimi.

Sekuestrohen 1 armë zjarri kallashnikov e dyshuar e përdorur gjatë konfliktit, municion luftarak dhe 4 kallëpe lënde të dyshuar plasëse tritol.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër, në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale të kryera për zbardhjen e rrethanave të konfliktit të ndodhur mbrëmjen e datës 25.06.2026, në lagjen “Tre Heronjtë”, arrestuan shtetasit:

-N. L., 63 vjeç dhe A. F., 27 vjeç, të dy banues në lagjen “Tre Heronjtë”, Shkodër.

Nga hetimet dyshohet se shtetasit A. F. dhe N. L. (fqinj) janë konfliktuar për motive të dobëta dhe kanë qëlluar me armë zjarri, për të kanosur njëri-tjetrin. Si pasojë e të shtënave janë dëmtuar porta e oborrit të banesës së shtetasit N. L. dhe një automjet i parkuar në oborr.

Gjatë kontrollit në banesën e shtetasit N. L., shërbimet e Policisë gjetën 1 armë zjarri kallashnikov, e dyshuar e përdorur gjatë konfliktit, ndërsa gjatë kontrollit në banesën e shtetasit A. F., gjetën municion luftarak dhe 4 kallëpe lënde të dyshuar plasëse tritol.

Në vijim të veprimeve procedurale, u shpall në kërkim shtetasi A. F., 26 vjeç, banues në Shkodër, pasi dyshohet se ka qenë i pranishëm gjatë konfliktit, por nuk ka kallëzuar.

Vijon puna për kapjen e tij dhe për dokumentimin e plotë ligjor të rrethanave të rastit.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.