Konfirmohet rasti i parë me Ethet e Nilit në Shqipëri, ISHP: Sëmundja prek Korçën!

KORÇË- Sëmundja “Ethet e Nilit” Perëndimor kanë hyrë zyrtarisht edhe në Shqipëri. Më 1 gusht është diagnostikuar rasti i parë me këtë sëmundje infektive në qarkun e Korçës, fakt që u konfirmua nga epidemiologia e Institutit të Shëndetit Publik (ISHP), Adela Vasili.

Rasti shqiptar tashmë është raportuar edhe në Qendrën Europiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC), duke e futur vendin tonë në hartën e shteteve europiane të prekuara, ku Italia numëron 311 raste, Greqia 157 dhe Maqedonia e Veriut 37 raste.

Sëmundja përhapet nëpërmjet pickimit të mushkonjave, të cilat marrin virusin nga zogjtë ose kuajt. Simptomat fillestare ngjajnë me ato të një gripi të zakonshëm, me temperaturë, dhimbje koke, dhimbje muskujsh dhe të vjella, por në forma të rënda virusi prek trurin duke shkaktuar encefalit dhe mund të rezultojë vdekjeprurës.

Megjithatë, ekspertët e ISHP-së apelojnë për qetësi, duke theksuar se nuk ka vend për panik. Aktualisht, epidemiologët e ISHP-së kanë nisur hetimin në të gjithë qarkun e Korçës për të verifikuar praninë e llojit të mushkonjës vektore.

Ndërsa ISHP ka kryer dezinsektimin e zonave bregdetare gjatë periudhës së shumimit, institucionet u bëjnë thirrje urgjente bashkive të marrin masa të menjëhershme për dezinsektimin dhe dezinfektimin e vendeve ku grumbullohen mbeturinat.