DURRËS- Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mesditën e sotme në lagjen nr. 17 të qytetit të Durrësit, ku një market është rënë pre e një grabitjeje me dhunë. Uniformat blu njoftojnë se, rreth orës 15:00, një person ka hyrë në ambientet e biznesit dhe ka marrë me forcë të gjitha paratë që ndodheshin në xhiron e ditës brenda arkës, për t’u larguar menjëherë më pas nga vendngjarja.
Ndërkohë, Shërbimet e Policisë së Durrësit kanë mbërritur me shpejtësi në vendin e ngjarjes. Falë veprimeve të shpejta hetimore dhe këqyrjes së provave, policia bëri të mundur identifikimin e autorit të dyshuar, 26-vjeçarit me iniciale F. S.
Përmes një njoftimi paraprak, Policia e Durrësit bën me dije se uniformat e pluta kanë nisur një krehje të gjithë zonës përreth dhe po vijojnë kontrollet e rrepta me qëllim kapjen dhe arrestimin e 26-vjeçarit. Ndërkohë, grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë po punon për të dokumentuar plotësisht rrethanat dhe provat ligjore të kësaj ngjarjeje.
Njoftimi i policisë:
“Durrës/Informacion paraprak. Rreth orës 15:00, në lagjen nr. 17, një shtetas ka marrë me dhunë një shumë parash nga kasa e një marketi dhe është larguar.
Shërbimet e Policisë shkuan menjëherë në vendngjarje dhe si rezultat i veprimeve të shpejta, bënë të mundur identifikimin e autorit të dyshuar, shtetasit F. S., rreth 26 vjeç, ku vijojnë kontrollet në zonë, me qëllim kapjen e tij. Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë po punon për dokumentimin e plotë të rrethanave të rastit.”, njofton Policia.




