DURRËS- Banorët e Lagjes nr. 15 në qytetin e Durrësit janë ngritur në protestë, për të kundërshtuar situatën e krijuar nga grumbullimi i mbetjeve në mes të zonës së banuar. Kjo pasi, kamionët e mbetjeve urbane vijojnë të depozitojnë ngarkesat e tyre, gjë e cila sjell ndotje të mjedisit dhe aromë të pakëndshme.
Baorët kanë deklaruar se kjo e ka kthyer lagjen e tyre në një landfill të vogël, ndërsa theksojnë se pastrimi nga Bashkia e Durrësit nuk ka qenë i mjaftueshëm. Sipas banorëve, vendgrumbullimi që u krijua si zgjidhje e përkohshme vijon të funksionojë prej vitesh.
Më tej ata thonë se vendi i posaçëm tranzit i premtuar nga Bashkia nuk është ndërtuar ende, ndërsa kjo situatë rrezikon shëndetin e tyre si dhe mjedisin. Gjatë një prononcimi për mediat, një banor shprehet se nga kjo situatë preken mbi 300 familje, duke theksuar se kanë mbi 3 vite që nuk hapin dritaret si shkak i erës së keqe.
“Janë mbi 300 familje qe preken. Nuk jemi këtu për arsye politike, për të mos thënë që të gjithë këta që protestojnë këtu janë të gjithë socialistë. Ne kemi dalë për problemin tonë, për fëmijët tanë.
Ka mbi 3 vite që nuk hapim dritaret, është e pamundur. Po kërkojmë të hiqen plehrat, të bëhet gjëja më minimale. Drejtorët që punojnë në komunale të vijnë të qëndrojnë vetëm 30 minuta këtu dhe ta kuptojnë se çfarë po ndodh”, shprehet banori




