Një zjarr ka përfshirë një zonë pyjore në fshatin Janç Mal, në Njësinë Administrative Tunjë të Bashkisë Gramsh. Vatra u evidentua gjatë ditës së djeshme dhe menjëherë u angazhuan shërbimet zjarrfikëse dhe pyjore për izolimin e flakëve.
Në terren kanë ndërhyrë 8 punonjës të shërbimit zjarrfikës dhe 5 punonjës të shërbimit pyjor. Operacioni është vështirësuar nga terreni i thyer malor, ku automjetet nuk mund të afrohen pranë vatrës. Ekipet kanë udhëtuar rreth një orë me automjet dhe më pas kanë vijuar për afro një orë në këmbë, duke transportuar pajisjet e nevojshme.
Puna ka vijuar deri në orët e vona të mbrëmjes, ndërsa ekipet janë rikthyer në terren rreth orës 05:00 të mëngjesit të sotëm për të vijuar ndërhyrjen dhe për të parandaluar përhapjen e zjarrit.
Për shuarjen e flakëve është përdorur edhe metoda e kundërzjarrit, ndërsa shërbimet po punojnë për izolimin e plotë të vatrës. Sipas të dhënave paraprake, zjarri ka prekur rreth 3.5 dynymë sipërfaqe pyjore.




