Agim Sula, banor i lagjes “Vullnetari” në Elbasan, tregon se pranë përroit janë hedhur inerte, goma makinash, dërrasa të kalbura dhe mbetje të tjera të ndotshme. Sipas tij, kamionët që transportojnë mbeturinat vijnë kryesisht gjatë natës dhe i shkarkojnë fshehurazi.
Në vendngjarje u panë thasë me inerte dhe mbetje të shpërndara përgjatë zonës, ndërsa banori thotë se situata vazhdon prej 2-3 vitesh dhe askush nuk është ndëshkuar.
“Kamionët që sjellin inertet na kanë dëmtuar edhe rrugën për të shkuar në shtëpi. Këtu jetojnë 6 familje prej afro 30 vitesh. Kalojmë çdo ditë me fëmijët dhe është bërë e papërballueshme”, shprehet ai.
Banori thotë se ka njoftuar administratorin e Njësisë Administrative nr. 4 dhe ka kërkuar ndërhyrje edhe në bashki, por problemi vijon të përsëritet.
Pas interesimit të “Fiks Fare”, reagoi Drejtori i Shërbimeve Publike në Elbasan, Gëzim Keçi, i cili pranoi se institucionet kanë qenë në dijeni të situatës.
“Kishim dijeni dhe duhet t’i kishim marrë masat. Problemi është se kamionët vijnë natën dhe i shkarkojnë fshehurazi. Ne e kemi pastruar zonën edhe para dy muajsh, por gjendja është rikthyer. Brenda javës që vjen do t’i heqim këto mbetje”, deklaroi ai.
Ndërsa administratori i njësisë, Arben Demiri, tha se çështja është referuar edhe në polici dhe se pritet të vendosen kamera sigurie pranë zonës për të identifikuar personat që hedhin mbetjet gjatë natës.
“Kemi rënë dakord që të vendosen kamera tek prita poshtë, me qëllim ndërprerjen e abuzimeve. Mbetjet do të largohen dhe do të dërgohen në pikën e grumbullimit”, u shpreh administratori.
Në fund, banori falënderoi emisionin për ngritjen e problemit.
“E kisha shumë shqetësim, sepse kaloj çdo ditë me fëmijët për në shkollë. Faleminderit Fiksit që e ngriti këtë problem”, tha ai.













