Ishte diplomuar për inxhinieri dhe punonte si mësues me kohë të pjesshme, kush është autori i sulmit ndaj Donald Trump

31-vjeçari Cole Tomas Allen është identifikuar si autori i dyshuar i sulmit me armë gjatë darkës së Shoqatës së Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë, ku ishin të pranishëm Presidenti Donald Trump dhe zyrtarë të tjerë të lartë.

Sipas burimeve për CNN, Allen nga Torrance, Kaliforni, u neutralizua nga forcat e sigurisë pranë vendit të ngjarjes pasi kaloi me shpejtësi një pikë kontrolli dhe hapi zjarr ndaj personelit të sigurisë.

Një agjent i Shërbimit Sekret u plagos, por shpëtoi falë jelekut antiplumb dhe ndodhet në gjendje të mirë.

Të dhënat tregojnë se Allen punonte si mësues me kohë të pjesshme dhe si zhvillues lojërash.

Ai kishte përfunduar studimet për inxhinieri mekanike dhe kishte marrë një master në shkenca kompjuterike.

Postimet në Facebook që lidhen me Cole tregojnë se ai u emërua “Mësuesi i Muajit” në dhjetor 2024 nga zyra Torrance e C2 Education, një shërbim privat kombëtar për përgatitjen e testeve dhe mësimdhënien private për studentët që do të shkojnë në kolegj.

Një profil në LinkedIn në emër të të dyshuarit e përshkruan atë si “inxhinier mekanik dhe shkencëtar kompjuterash me diplomë, zhvillues lojërash i pavarur me përvojë, mësues me lindje”.

Ai mori një diplomë bachelor në inxhinieri mekanike nga Instituti i Teknologjisë i Kalifornisë në vitin 2017 dhe një diplomë master në shkenca kompjuterike nga Universiteti Shtetëror i Kalifornisë në Dominguez Hills në vitin 2025, sipas profilit. Caltech tha në një deklaratë se një person me atë emër u diplomua në vitin 2017.

Shefi i departamentit të policisë së Distriktit të Kolumbias tha se hetuesit besojnë se i dyshuari ishte i ftuar në hotelin Ëashington Hilton, ku po zhvillohej darka vjetore, por se nuk ishte përcaktuar asnjë motiv.

Autoritetet konfirmojnë se i dyshuari është në paraburgim, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes vijojnë.