Bulqizë, 26 prill 2026
Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë ka shprehur shqetësim të thellë për ngjarjen e ndodhur në orët e para të mëngjesit në Bulqizë, ku automjeti i gazetarit Sami Curri është djegur nga persona ende të paidentifikuar.
Sipas AGSH, ky incident përbën një alarm serioz për sigurinë e gazetarëve dhe klimën në të cilën ata ushtrojnë profesionin e tyre. Vetë gazetari Curri e ka konsideruar ngjarjen si një mesazh kërcënues për shkak të punës së tij, çka, sipas organizatës, e bën edhe më urgjent një reagim institucional të shpejtë dhe të plotë.
AGSH i ka bërë thirrje Policia e Shtetit dhe organeve të drejtësisë që të hetojnë me prioritet maksimal rastin, duke zbardhur rrethanat dhe duke identifikuar autorët.
Organizata paralajmëron se çdo vonesë apo neglizhencë në trajtimin e ngjarjes do të rriste pasigurinë dhe do të dërgonte sinjale negative për lirinë e medias në vend.
Në reagim theksohet se çdo akt që synon të frikësojë apo të pengojë gazetarët për shkak të detyrës së tyre është i papranueshëm dhe cenon drejtpërdrejt të drejtën e publikut për informim.














