Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e kësaj të hëne në Shkodër, ku një 34-vjeçar ka rënë viktimë e goditjes nga rryma elektrike teksa po ndërhynte për rregullimin e një defekti.
Sipas informacioneve paraprake të policisë, rreth orës 20:36, shtetasi A. N., me detyrë elektricist i zonës, është dërguar pa shenja jete në Urgjencën e Spitalit Rajonal të Shkodrës.
Hetimet paraprake tregojnë se 34-vjeçari ishte thirrur jashtë orarit zyrtar të punës nga disa banorë të fshatit Bardhaj, për shkak të mungesës së energjisë elektrike. Ai dyshohet se ka rënë në kontakt me korrentin gjatë përpjekjes për të riparuar defektin në një shtyllë elektrike, pa njoftuar më parë dispeçerinë e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE).
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe dokumentimin ligjor të ngjarjes.
