BallinaInvestigimSa të sigurt jemi?

Sa të sigurt jemi?

Dhjetë produkte për mbrojtjen e bimëve, të cilat nuk lejoheshin në Bashkimin Europian, vijuan të qarkullonin në Shqipëri gjatë viteve 2022–2024, ndërsa për 14 lloje pesticidesh kufijtë maksimalë të mbetjeve në produkte bujqësore ishin disa herë më të lartë se standardet europiane.

Këto janë disa nga gjetjet e auditimit të Kontrollit të Lartë të Shtetit në Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural (publikuar në mars 2026) që evidenton mospërputhje në kuadrin rregullator për përdorimin e pesticideve dhe sigurinë ushqimore.

Sipas raportit, problematikat prekin produkte të konsumuara gjerësisht nga qytetarët, si luleshtrydhet, patatet, rrushi, ullinjtë, mandarinat, lulelakra, domatet, kastravecat dhe shalqiri.

Gjetjet ngrenë pikëpyetje mbi përafrimin e standardeve shqiptare me ato të Bashkimit Europian dhe mekanizmat që duhet të garantojnë sigurinë e produkteve bujqësore në tregun vendas.

Dhjetë produkte të ndaluara në BE rezultuan në qarkullim në Shqipëri
Sipas auditimit, gjatë viteve 2022–2024 në Shqipëri rezultonin në qarkullim 10 produkte për mbrojtjen e bimëve që përmbanin lëndë aktive të ndaluara në Bashkimin Evropian.

Në këtë listë përfshihen Metaflumizone, Clofentezine, S-metolachlor, Spinetoram, Diethofencarb, Metribuzin, Spirotetramat, Metiram, Dimethomorph dhe Meptyldinocap.

KLSH konstaton gjithashtu raste kur afatet e vlefshmërisë së këtyre produkteve në Shqipëri ishin zgjatur përtej afateve përkatëse të përcaktuara në BE.

Për shembull, Metaflumizone rezultonte me afat vlefshmërie deri më 31 dhjetor 2025 në listën shqiptare, ndërsa në BE afati përfundonte më 31 dhjetor 2024.

Për Spinetoram, diferenca ishte gjithashtu një vit: 30 qershor 2025 në Shqipëri kundrejt 30 qershorit 2024 në BE.

Një tjetër problem lidhet me administrimin e produkteve që nuk lejoheshin më në tregun europian.

Sipas raportit, që prej vitit 2020 Ministria kishte ndarë produktet në dy lista, ku njëra përfshinte edhe produkte që mund të vazhdonin të tregtoheshin në Shqipëri deri në konsumimin e stokut ekzistues.

Auditimi evidenton mungesë të të dhënave të sakta për sasitë e mbetura në magazina dhe të procedurave të plota për të monitoruar daljen e tyre nga qarkullimi.

Mbetjet e pesticideve në fruta dhe perime… deri 75 herë mbi normat e BE-së

Një tjetër gjetje shqetësuese e auditimit lidhet me kufijtë maksimalë të mbetjeve të pesticideve në fruta dhe perime.

KLSH krahasoi Udhëzimin nr. 11, datë 10 maj 2021, të Ministrisë së Bujqësisë me normat e Bashkimit Evropian dhe konstatoi se, për 14 lloje pesticidesh, kufijtë e përcaktuar në Shqipëri ishin disa herë më të lartë në disa produkte, ndërsa në raste të tjera nuk ishte përcaktuar një nivel maksimal.

Diferenca më e madhe e evidentuar në shembujt e raportuar lidhet me luleshtrydhet. Për substancën Tebuconazole, kufiri i cituar për BE-në ishte 0.02 mg/kg, ndërsa ai i përcaktuar në udhëzimin shqiptar ishte 1.5 mg/kg, ose 75 herë më i lartë.

Edhe për substanca të tjera, diferencat ishin të konsiderueshme. Për Clopyralid te luleshtrydhet, kufiri evropian ishte 0.5 mg/kg, ndërsa ai shqiptar 5 mg/kg. Për Difenoconazole, vlerat e krahasuara ishin përkatësisht 2 mg/kg dhe 20 mg/kg.

Te mandarinat, për Phosmet, kufiri i raportuar për BE-në ishte 0.01 mg/kg, kundrejt 0.5 mg/kg në udhëzimin shqiptar, një diferencë 50-fish. Ndërsa te kastravecat, për Oxamyl, kufiri shqiptar ishte 0.01 mg/kg, kundrejt 0.001 mg/kg në BE.

Për domatet, raporti evidenton gjithashtu një diferencë për Oxyfluorfen: 0.05 mg/kg në Shqipëri kundrejt 0.01 mg/kg në BE.

Rreziku për shëndetin…deri tek dëmtimi i mëlçisë dhe zhvillimi i kancerit

Sipas KLSH, përdorimi i tepruar ose i pakontrolluar i pesticideve mund të sjellë pasoja për konsumatorët dhe fermerët, si dhe të kontaminojë tokën dhe ujin, duke dëmtuar edhe florën, faunën dhe biodiversitetin.

Ndikimi i pesticideve nuk është i njëjtë për të gjitha substancat.

-Fungicidet organike (të tilla si sufuri, bakri, etj.) janë më pak toksike për njeriun dhe kafshët, por mund të kenë ende ndikime të dëmshme për mjedisin dhe biodiversitetin.

– Fungicidet sistemike (që përthithen nga bima dhe shpërndahen brenda saj) mund të mbeten të pranishëm në ushqimet e prodhuara, duke rritur rrezikun e ekspozimit tek njeriu.

“Ekspozimi i përsëritur ndaj disa fungicideve mund të shkaktojë dëmtim të organeve si mëlçia, veshkat, dhe sistemi nervor. Disa fungicide janë të lidhura me dëmtime të mëlçisë dhe mund të shkaktojnë dëmtime të veshkave pas ekspozimit të zgjatur.

Disa fungicide, sidomos ato që përmbajnë substanca të tilla si fungicidet organofosforikë ose azoksistrobin, janë të dyshimta për ndikimin në zhvillimin e disa llojeve të kancerit, si ai i mëlçisë dhe i mushkërive”, vëren raporti i KLSH.

Pasojat për eksportin dhe prodhimin vendas

KLSH vëren se prodhimi bujqësor në fermat e përqendruara te produktet e analizuara në raport është i orientuar kryesisht drejt eksportit.

Mospërputhja e kufijve shqiptarë me standardet europiane mund të krijojë pengesa për tregtimin e këtyre produkteve në vendet e BE-së, ku zbatohen kërkesat përkatëse të sigurisë ushqimore.

Auditimi ngre gjithashtu shqetësimin se krijimi i kushteve të ndryshme rregullatore mund të dëmtojë prodhimin vendas dhe të favorizojë produktet e importuara, pa u analizuar në mënyrë të mjaftueshme rreziku që paraqesin këto produkte krahasuar me ato vendase.

Një tjetër rrezik i evidentuar është krijimi i kushteve për futjen ose tregtimin e pakontrolluar të produkteve për mbrojtjen e bimëve, për sa i përket sasive dhe cilësisë së tyre, në kushtet e përdorimit të gjerë në bujqësi.

Çfarë ndodh kur produktet shqiptare të eksportit rezultojnë problematike jashtë vendit?

E pyetur nga Faktoje se çfarë mekanizmash zbaton për të mbrojtur konsumatorët shqiptarë kur një produkt ushqimor me origjinë nga Shqipëria konstatohet jashtë vendit se paraqet problem të sigurisë ushqimore, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit shpjegon se procedura nis me verifikimin e gjurmueshmërisë së produktit dhe të shpërndarjes së tij.

Sipas AKU-së, pas marrjes së një njoftimi përmes sistemit europian të alarmit të shpejtë për ushqimin dhe ushqimin për kafshë (RASFF), drejtoria rajonale kompetente inspekton subjektin eksportues për të verifikuar, përmes faturave, sasinë e produktit të eksportuar, destinacionet, sasitë e shitura dhe ato që kanë mbetur në gjendje.

Gjithashtu kontrollohet nëse produkti është shpërndarë në tregun vendas dhe identifikohen fermerët që e kanë prodhuar.

Në rastet kur rezulton se produkti i njoftuar është shpërndarë edhe te subjekte të tjera në Shqipëri, AKU thotë për Faktoje se ndërmerren masa për tërheqjen ose kthimin e tij nga tregu, bllokimin dhe asgjësimin, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Procedura parashikon edhe kontrolle në subjektet ku është shpërndarë produkti dhe njoftimin e konsumatorëve për kthimin e produkteve të blera, por të pakonsumuara.

Kur identifikohet fermeri përgjegjës, informacioni i përcillet edhe strukturave përkatëse të Autoritetit Kombëtar të Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve, për ndjekje të mëtejshme.

AKU shpjegon se njoftimi kalon edhe nëpër disa struktura të brendshme të institucionit. Sektori përgjegjës për komunikimin me RASFF-in informon drejtoritë përkatëse, ndërsa rasti i dërgohet drejtorisë rajonale për verifikim.

Pas përfundimit të kontrolleve, kjo e fundit raporton gjetjet dhe masat e marra, të cilat përmblidhen dhe përcillen te sektori që komunikon me sistemin europian, me qëllim njoftimin e tij për rezultatet e hetimit.

Nëse për eksportet një sinjalizim nga jashtë aktivizon procedurat e gjurmueshmërisë dhe tërheqjes së produkteve, për tregun vendas rëndësi ka edhe zbulimi në kohë i problemeve përmes kontrolleve dhe analizave laboratorike.

Për këtë arsye, krahas reagimit ndaj njoftimeve nga jashtë, transparenca mbi kontrollet e kryera në Shqipëri është thelbësore për të kuptuar nëse produktet që konsumojnë qytetarët përmbushin standardet e sigurisë ushqimore.

RELATED ARTICLES

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

- Advertisment -

Most Popular